Në përvjetorin e 44-të të rënies së dëshmorit Afrim Abazi, kujtesa kolektive e popullit të Kosovës rikthehet te një nga figurat e përkushtuara të rezistencës për liri, i cili me sakrificën e tij u bë pjesë e përjetësisë kombëtare.
Ish-aktivisti i ilegales dhe bashkëveprimtari i tij, Faton Topalli, në një shkrim përkujtimor, rikujton me emocione dhe krenari figurën e Afrim Abazit, duke theksuar se ai “ra për të mos vdekur kurrë”.

Sipas tij, 19 Marsi mbetet një datë që bashkon dhimbjen me krenarinë – për familjen, për shokët e tij të organizimit PKMLSHJ dhe për gjithë popullin e Kosovës që nderon sakrificën për liri.
Topalli kujton bashkërrugëtimin me Afrimin në vitet e rezistencës ilegale, duke e përshkruar atë si një luftëtar të palodhur, i cili qëndroi i vendosur deri në frymën e fundit të jetës. Ai shprehet krenar që pati mundësinë të ndajë me të një pjesë të rëndësishme të rrugës drejt lirisë, një rrugë e mbushur me sfida, rreziqe dhe përkushtim të pakompromis.
“Emri i tij jeton në kujtesën tonë dhe në historinë e atdheut”, thekson Topalli, duke nënvizuar se figura e Afrim Abazit mbetet frymëzim për brezat e rinj dhe një simbol i sakrificës sublime për lirinë që sot gëzon Kosova.Në fotografitë e viteve të tetëdhjeta, që shoqërojnë këtë përkujtim, shihen bashkëluftëtarët dhe shokët e tij të organizimit, të cilët e nderojnë me mall dhe respekt: Sejdi Sejdiu, më vonë dëshmor i UÇK-së; Fehmi Hajrullahu, veteran i UÇK-së; si dhe Imri Ilazi, i burgosur politik. Këto figura dëshmojnë vazhdimësinë e përpjekjeve për liri dhe çmimin e lartë që është paguar ndër vite.Sot, pas më shumë se katër dekadash, kujtimi për Afrim Abazin mbetet i gjallë dhe i pandashëm nga historia e rezistencës shqiptare në Kosovë. Ai përfaqëson një brez që nuk u ndal para sakrificës, duke e kthyer idealin e lirisë në realitet.Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorit Afrim Abazi – kujtimi i tij qoftë i përjetshëm!

