Ferizaj, 27 shkurt 2026 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm –
Divizioni Penal, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e
masës së paraburgimit kundër të pandehurve B.B. dhe E.K., për shkak të dyshimit të bazuar
se kanë kryer veprën penale pranimi i ryshfetit në sektorin privat nga neni 309 paragrafi 1
lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës
paraprake në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal, Dardan Maloku, ka vlerësuar
se ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 25.02.2026 në Ferizaj, përkatësisht në KEDS, i
pandehuri B.B., në cilësinë e koordinatorit të njësisë së kontrollit në Departamentin për
humbje të energjisë elektrike, dhe i pandehuri E.K. në cilësinë e ushtruesit të detyrës së
koordinatorit për lidhje të reja, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre lidhur me ofrimin e
shërbimeve ndaj konsumatorëve, në mënyrë të drejtpërdrejte i kanë kërkuar shumën prej
katërqind (400.00) € të dëmtuarit A.H., me arsyetimin se njësori elektrik do t`i vendoset
brenda një jave në lokalin e tij, në të kundërtën do të duhet të pres pesë deri në gjashtë muaj
për vendosjen e njësorit elektrik, si dhe këtë shumë të hollash do të ndanin ndërmjet katër
personave, me ç`rast pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, të njëjtit janë kapur dhe
arrestuar në flagrancë nga ana e Policisë së Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së
paraburgimit kundër të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të
KPPRK-së, dhe të njëjtëve i`u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1)
muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.