Komuna e Ferizajt ka dalë me një sqarim publik lidhur me gjendjen dhe përgjegjësitë institucionale për ish objektin e shkollës fillore “Gjon Serreçi”, pas pamjeve që kanë qarkulluar ditëve të fundit në media dhe rrjete sociale.
Sipas njoftimit zyrtar, Komuna thekson se objekti në fjalë nuk është në menaxhimin e Komunës së Ferizajt, por prej vitesh ndodhet në përgjegjësi dhe mbrojtje të Ministrisë së Kulturës, në cilësinë e një objekti të trashëgimisë kulturore. Për këtë arsye, Komuna sqaron se pretendimet dhe aludimet që adresojnë përgjegjësinë për gjendjen aktuale të objektit tek niveli lokal nuk qëndrojnë.
Në reagimin e saj, Komuna nënvizon se ka kërkuar vazhdimisht nga institucionet e nivelit qendror që t’i mundësohet ndërhyrja për rregullimin e hapësirës. Sipas këtij sqarimi, përmes komunikimeve dhe shkresave zyrtare të dërguara ndër vite, është kërkuar leje për zhvillimin e punimeve që do të përmirësonin gjendjen e objektit dhe do të eliminonin çdo rrezik të mundshëm për sigurinë në dhe rreth tij.
Megjithatë, Komuna bën të ditur se ndërhyrjet nuk janë lejuar deri më tani nga institucionet përgjegjëse qendrore. Pavarësisht kësaj, autoritetet lokale deklarojnë se do të vazhdojnë të përsërisin kërkesat dhe të mbajnë komunikim zyrtar me Ministrinë e Kulturës dhe organet përkatëse, me synimin që të mundësohet rregullimi i objektit.
Ky sqarim vjen në funksion të informimit të drejtë të qytetarëve, duke synuar qartësimin e roleve dhe kompetencave institucionale mbi një objekt që tashmë trajtohet si pjesë e trashëgimisë kulturore dhe që, sipas Komunës, kërkon bashkëpunim dhe vendimmarrje në nivel qendror për çdo ndërhyrje eventuale.
Must Read


