Ferizaj ka humbur sot një nga figurat e saj më të rëndësishme të kulturës dhe artit.
Ka ndërruar jetë artisti i shquar ferizajas, koreografi i mirënjohur Bajram Tahiri, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar artistike dhe njerëzore.
Lajmi për ndarjen nga jeta të Bajram Tahirit është bërë i ditur nga familjarët, të cilët kanë njoftuar se varrimi do të bëhet sot, pas namazit të ikindisë, në ora 15:30, në varrezat e reja të qytetit të Ferizajt.
Me këtë rast, Komuna e Ferizajt ka njoftuar se sot, më 3 shkurt 2026, në ora 14:00, në Teatrin Adriana, do të mbahet mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së artistit të ndjerë, ku pritet të marrin pjesë familjarë, kolegë, përfaqësues institucionalë dhe komuniteti artistik.
Bajram Tahiri ishte një emër i respektuar në skenën kulturore të Ferizajt dhe më gjerë, i njohur për kontributin e tij shumëvjeçar në zhvillimin e artit skenik dhe në edukimin e brezave të rinj përmes koreografisë dhe përkushtimit profesional.
Ngushëllime familjes Tahiri, komunitetit artistik, kolegëve të profesionit, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan veprën e tij. Qoftë i përjetshëm kujtimi për Bajram Tahirin dhe i lehtë i qoftë dheu.


