16,06,2025

Ferizaj shënon Ditën e Shëndetësisë me përkushtim ndaj mantelbardhëve dhe inovacione digjitale

Must Read

Ferizaj, më 15 qershor 2025 – Nën moton e përkushtimit ndaj shëndetit publik dhe respektit për profesionistët shëndetësorë, Komuna e Ferizajt shënoi sot Ditën e Shëndetësisë, në një ngjarje të veçantë që mblodhi krerët komunalë, drejtuesit institucionalë dhe stafin mjekësor në një atmosferë përkujtimi, vlerësimi dhe inovacioni.

Në aktivitetet e kësaj dite morën pjesë kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, drejtori i Shëndetësisë, Kemajl Emini, drejtori i Urbanizmit, Arbër Bytyqi, Drejtori i Shërbimeve Publike Alberton Sahit, menaxhmenti i Spitalit Rajonal të Ferizajt, si dhe stafi mjekësor i këtij institucioni dhe i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).

Kreu i komunës, z. Aliu, gjatë vizitës në Spitalin Rajonal dhe QKMF, uroi mantelbardhët ferizajas për kontributin e tyre të palodhshëm dhe ritheksoi angazhimin e qeverisjes lokale për të mbështetur aspiratat për një shëndetësi të avancuar, moderne dhe gjithëpërfshirëse. Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujdesit të vazhdueshëm për pacientët dhe ngritjes së kapaciteteve profesionale e teknologjike në shërbim të qytetarëve.

Në nderim të mjekëve dhe profesionistëve të shëndetësisë që kanë ndërruar jetë, u bënë homazhe pranë Obeliskut në oborrin e QKMF-së, duke kujtuar me mirënjohje trashëgiminë dhe kontributin e tyre të paçmuar në shërbim të shëndetit të qytetarëve.

Pjesë e rëndësishme e shënimit të kësaj dite ishte përurimi i projektit të digjitalizimit të administratës shëndetësore të QKMF-së – një projekt inovativ dhe unik në nivel vendi, që tashmë ka bërë të mundur ruajtjen dhe qasjen e lehtë të mijëra dokumenteve shëndetësore, që nga dekadat e kaluara deri më sot. Kjo risi konsiderohet një hap gjigant drejt modernizimit të sistemit shëndetësor lokal dhe lehtësimit të punës së stafit mjekësor.

Në përmbyllje të aktiviteteve, u shprehën urime të përzemërta për të gjithë profesionistët e shëndetësisë në Ferizaj, duke i vlerësuar ata si shtyllë kyçe të funksionimit të sistemit shëndetësor dhe garantues të mirëqenies së qytetarëve.

Urime të gjithë mantelbardhëve ferizajas – Gëzuar Dita e Shëndetësisë!

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Ferizaj shpërndan 34 Mulçerues dhe 21 pompa për spërkatje: Përfituese edhe Shkolla Profesionale IAAP “Zenel Hajdini”

Në vazhdën e përkrahjes së sektorit të bujqësisë, Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë në Komunën e Ferizajt ka realizuar...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img