Ferizaj, 8 qershor 2025 — Me pikëllim të thellë është pritur lajmi për ndarjen nga jeta të profesorit të njohur, veteranit të arsimit dhe veprimtarit të shquar kombëtar e politik, Azem Llabjani.
Profesor Llabjani, për dekada me radhë kontribuoi në edukimin e shumë brezave në Ferizaj dhe më gjerë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në arsim, kulturë dhe në jetën publike të qytetit. Ai njihej si një personalitet i urtë, i përkushtuar dhe gjithmonë i gatshëm për të ndarë dijen e tij, duke kultivuar te të rinjtë dashurinë për atdheun dhe vlerat kombëtare.
Lajmin për ndarjen e tij e ka përcjellë me një Telegram ngushëllimi edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i cili shkruan ndër të tjera:
“Me dhembje e pikëllim, mora lajmin për ndarjen nga jeta të profesorit të respektuar, veprimtarit kombëtar e politik, bashkëqytetarit tonë të shquar, Azem Llabjani. Urtak, gjithmonë i mirësjellshëm, dijeplotë e energjik për të kultivuar ndër breza dijen e atdhedashurinë, pata fatin ta kem për një kohë profesor, ferizajasin e shquar e fisnik, respektplotin bashkëqytetar, Azem Llabjani. Zemra e tij pushoi së rrahuri përgjithmonë, porse jeta e vepra e tij janë trashëgimi që gjithnjë do të jetojnë për të kujtuar e frymëzuar brezat.”
Kryetari Aliu shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes Llabjani, kolegëve, miqve dhe të njohurve të të ndjerit, duke uruar që shpirti i tij të prehet në paqe.
Me ndarjen nga jeta të profesor Azem Llabjanit, Ferizaj humbi një prej figurave më të çmuara të arsimit dhe të jetës intelektuale. Vepra e tij mbetet një trashëgimi e vyer për brezat që vijnë.