29,11,2024

Kush janë tri gratë e ftuara nga Gjykata Speciale?

Must Read

Raimonda Rreci, Safete Hadergjonaj e Time Kadrijaj, janë tri gratë e ftuara deri tani nga Gjykata Speciale në mesin e mbi 100 burrave.

Raimonda Rreci ka qenë gruaja e parë që ka marrë ftesë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në kuadër të Gjykatës Speciale. Në dhjetor të vitit 2018, ajo vetë përmes një shkrimi në Facebook kishte treguar për ftesën që kishte marrë.

Rreci kishte deklaruar se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës edhe nëse deklaratat e saj nuk do t’i pëlqejnë dikujt.

“Nuk kam plane të mos i përgjigjem gjykatës pa marrë parasysh se në çfarë cilësie. Nuk kam asgjë të fshehtë, mbase deklaratat e mia nuk do ju pëlqejnë por unë do i përgjigjem”, kishte deklaruar ajo, shkruan Insajderi.

Teksa, më 3 qershor të 2019 Rreci nuk pranoi të intervistohet nga kjo gjykatë, duke thënë se intervistimi i saj pothuajse ishte suspenduar.

Rreci, ish-ushtarja e UÇK-së, ka thënë se nuk i është përgjigjur kësaj ftese, pasi që nga Gjykata Speciale nuk i kanë ofruar asaj informatat që ajo u ka kërkuar përmes një shkrese zyrtare.

Rreci ka theksuar se kërkesa e saj ka qenë që të njoftohet nga Specialja më hollësisht lidhur me ftesën, nëse është e ftuar në cilësinë e dëshmitares apo të dyshuarës.

“Jo në të parën, patjetër në të dytën, nëse drejtësia vërtet ekziston. Sa i përket intervistës e tëra është suspenduar thuajse, meqë unë refuzoj të intervistohem pa pranuar informata me konkrete në lidhje me çka unë mund të cilësohem, p.sh: dëshmitare”, kishte deklaruar ajo për Lajmi.net.

Me 3 shtator të këtij viti ftesën nga Gjykata Speciale e pranoi edhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Time Kadriaj, teksa u intervistua më 18 shtator.

Ajo ishte ftuar në cilësinë e dëshmitares.

“Sipas shkresës që pranova do të intervistohem në cilësinë e dëshmitares, dhe unë do t’i përgjigjem kësaj ftese. Nuk kam çfarë të dëshmoj përveç luftës së drejtë që ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, kishte thënë Kadriaj.

Pas intervistimit, ish-ushtarja e UÇK-së pati deklaruar se prokurorëve u ka interesuar puna e saj si mjeke në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në cilat zona ka qenë në kohë të luftës.

Kadriaj ka thënë se ka dëshmuar se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë.

Përveç, Kadriajt e Rrecit ftesën nga Specialja e mori edhe ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Safete Hadërgjonaj. Më 19 shtator u intervistua nga Prokurori Special, në cilësinë e dëshmitares. Teksa ftesën e kishte pranuar më 6 shtator.

Hadërgjonaj kishte pohuar se ajo do të intervistohej për periudhën 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor të vitit 2000.

Ajo pati deklaruar se gjatë periudhës së luftës nuk kishte pasur funksion të rëndësishëm, por se kishte dhënë kontributin e saj në shumë procese të asaj periudhe.

“Lufta UÇK është projekti më i shenjtë në rrugëtimin tonë për liri e pavarësi. Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri luftë të drejtë, të pastër për çlirim nga gjenocidi serb. Në këtë luftë qytetarët sakrifikuan jetën e tyre për liri dhe pavarësi dhe përjetuan gjenocidin. Ftesat e tilla, gjyqet e njëanshme, etnike, vetëm për shqiptarët që përjetuan gjenocidin serb, nga Unmiku, Tribunali i Hagës, dhe Euleksi e tash edhe nga Dhomat e Specializuara në Hagë, e jo ndaj atyre që ushtruan gjenocid mbi popullin e pafajshëm, janë përtej çdo norme të drejtësisë”, kishte deklaruar ish-deputetja e PDK-së në Facebook.

Gjykata Speciale me seli në Hagë ditëve të fundit ka shpeshtuar ftesat për të intervistuar kryesisht pjesëtarë të ish – Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vetëm me 22 shtator u dërguan mbi 7 ftesa.

Mandati pesë vjeçar i Gjykatës Speciale do të skadojë me 30 qershor të vitit 2020. Deri më tani nga kjo Gjykatë janë ftuar për intervistim si dëshmitarë, e si dëshmitarë të dyshuar, mbi 200 pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërkohë është paralajmëruar që gjatë këtij muaji do të ngritën edhe aktakuzat e para.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Në fundjavë, “KUPA E FEDERATËS 2024”

Spektakli i volejbollit në Kupën e Federatës, fillon këtë fundjavë! Këtë fundjavë nis edicioni i ri i Kupës së FVK-së,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img