Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër të Kosovës, Kadri Veseli, në kuadër të fushatës së tij zgjedhore, vizitoi një kopsht fëmijësh në Prishtinë, ku shpalosi disa nga prioritetet e tij.
Aty Veseli u prit nga përfaqësuesit dhe fëmijët e këtij institucioni, ku tha se fokusi i tij do të jetë futja obligative e fëmijëve nga 0-6 vjeç në edukimin parashkollor.
“Kjo çerdhe krijon një premisë për fëmijët. Sa më herët te fillojnë aq më të suksesshëm do të jenë. Fokusi im është të bëhet futja obligative nga 0-6 vjeç, edukimi parashkollor. Kam parapa edhe ndërtimin e 300 çerdheve“, u shpreh ai.
Më tej ai theksoi se familja ka një rol shumë të rëndësishëm e për këtë ai premtoi se do të stimulojnë rritjen e tyre.
“Familja luan një rol te rëndësishëm fuqizimi. Me politikat tona ne do të stimulojmë lindjen e fëmijëve të tretë me 1000 euro, fëmijën e katërt me 1500 euro. Për aq sa familjet që kanë tre fëmijë kanë me pas subvencionimin e kredisë 30% për tre fëmijë, katër fëmijë e tutje do ta kenë 50%.” tha ai.
“Orientimi ynë është rritja e familjes edhe përgatitja e fëmijëve tanë që të jenë pranë me fëmijët evropianë, shtoi më tutje Veseli.
Ndërkaq drejtoresha e kopshtit, Gëzime Rexhepi Çollaku, tha se si institucion kanë për qëllim zhvillimin e fëmijërisë së hershme.
“Me shumë kënaqësi ju kam prit, keni ardh në një institucion ku çdo gjë rritet dhe zhvillohet, pra prej një faze të hershme. Në fokus kemi zhvillimin e fëmijërisë së hershme.” u shpreh Rexhepi-Collaku.
Ajo po ashtu i përmendi Veselit një problematikë me të cilën vazhdojnë të përballen, duke i thënë se “sfida më e madhe e këtij profesioni janë pushimet e lindjes. Kur i tërë personeli është i punësuar, kur të gjitha punëtorët kalojnë në procesin e lindjes edhe automatikisht unë kam me dëgjuar kur njëra është shtatzëne e kur kthehet tjetra është sfidë shumë e madhe. Më s’di a ia vlen me diskutua”, raporton eo.
Ndërsa, Veseli theksoi se me futjen obligative nga 0-6 vjeç në edukimin parashkollor dhe hapjen e 300 çerdheve të reja, do t’u krijojë pastaj hapësirë grave që të kenë qoftë aktivitete të punësimit, ndërmarrësisë, që mos të jenë të varura vetëm nga situata familjare”, tha ai.
Së bashku me Veselin, aty e pranishme ishte edhe kandidatja për deputete Dhurata Hoxhaj.