26,11,2024

Vlerësimi i mësimdhënësve, kryeinspektori jep detaje rreth procesit

Must Read

Kryeinspektori i Arsimit në Kosovë, Dëfrim Gashi, ka thënë se vlerësimi i punës së mësimdhënësve, proces i nisur në tetor të vitit të shkuar, është mirëpritur nga mësimdhënësit në vend.

Gashi ka thënë se Inspektorati i Arsimit funksionon me 54 inspektorë, teksa ka shtuar se numri i tyre do të rritet për 20 në pjesën e dytë të vitit.

Ky numër ka thënë se është i vogël, teksa ka shtuar se po të jenë edhe 1000 s’do të mjaftonin. Sipas tij, nëse mësimdhënësit, drejtorët e shkollave dhe ata komunalë s’i kryejnë punët e tyre, inspektorati sado punëtorë po të kishte s’do të mund të kryente të gjitha punët.

“Ne jemi vazhdimisht në shkolla, të paktën një herë një shkollë vizitohet, pos atyre me kërkesa të veçanta. Me ligjin e ri, kemi edhe Ligjin e Inspektoratit të Arsimit që parasheh gjashtë lloje të inspektimeve, me një nga to jemi thuajse përherë në shkolla. Nuk duhet t’i paragjykojmë gjërat e t’i marrim të pamundshme. S’është vetëm rol i inspektorit. Duhet të futen të gjithë akterët përgjegjës. Nëse drejtorët komunalë kryejnë të gjitha detyrat, edhe punën e inspektorit që e bëjnë në një mënyrë, nuk vërehet puna jonë shumë. Menaxhimin e bëjnë drejtorët e shkollave, vetë komunat. Ne kemi ligjin për vlerësimin e mësimdhënësve. Tre akterë do të jenë, jo vetëm ne. Vetë mësimdhënësi, drejtori i shkollës dhe Inspektorati i Arsimit. Nëse secili drejtor, mësimdhënës, drejtor komunal i kryejnë obligimet me kontratë, shumë pak punë kemi. Nëse ata s’e bëjnë detyrën e vet ne edhe po të flemë nëpër shkolla s’mund t’i bëjmë ato detyra”, ka deklaruar ai në KTV.

Duke folur për procesin e vlerësimit të mësimdhënësve, Gashi ka thënë se si Inspektorat bëjnë vetëm mbikëqyrjen për zbatim të legjislacion, por për cilësi përgjegjës janë mësimdhënësit dhe punëdhënësit e tyre, komunat.

“Janë punëtorë të komunës. Ata kanë kontratë me komunën. Ata duhet t’i mbikëqyrin a po i respektojnë detyrat në bazë të kontratës. Do të ishte e ulët nëse ne merremi a e kanë përmbushur planprogramin apo jo. Çdo dukuri e keqe i adresohet ministrisë. Ministria bën politikat, përgatit legjislacionin e tregon si duhet të punohet, por është përgjegjësi plotësisht e mësimdhënësve dhe drejtorive komunale të arsimit të sigurojë cilësi. Ne bëjmë mbikëqyrjen. Ne shohim nëse ka zbatim të legjislacionit por sigurimi i cilësisë nëse ka rezultate apo jo fëmijët është në duart e mësimdhënësve, komunave”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se mësimdhënësit kanë mirëpritur procesin e vlerësimit të performancës, por jo edhe testimin. Sipas tij, kjo ishte refuzuar sepse vuri në pikëpyetje kredivilitetin e diplomës.

Gashi ka thënë se ky proces do të funksionojë vazhdimisht teksa ka dhënë sqarime për vlerësimin e përgjithshëm. Ka thënë se në fazën e vetëvlerësimit, mësimdhënësi ka 14 pikë në dispozicion, apo 10 për qind të rezultatit total. 30 për qind të pikëve mund të vijnë nga drejtori dhe për 60 për qind të 140 pikëve në total vlerëson ministria.

Kur të gjitha këto procese përfundojnë, bëhet një raport përfundimtar që identifikon mangësitë. Sipas Gashit, aty ku shihen ngecje orientohen trajnime.

Sipas tij, në fund masa mund të marrë komuna dhe se inspektorati mund të ofrojë rekomandime të caktuara.

Gashi ka thënë se nuk është mirë të krijohet një agjenci e inspektimit duke shtuar se “jemi funksionalë dhe s’shohim strukturë tjetër që me shkop magjik do të zgjidhte problemin”.

Edhe pse ka thënë se s’është përgjegjës të flasë për testin e mbajtur të shtunën nga Koordinatori nacional, Gashi ka thënë se është mirë që “nxënësit të mos ngarkohen me testet nga më të ndryshmet”.

“Kanë programet se çka duhet të mësojnë e kohën kur duhet t’iu nënshtrohet testimeve. Është edhe testi i jashtëm që organizohet nga ministria. Ka teste në planprogram. Si zyrtar i lartë mund të them se të gjithë mësimdhënësit janë të obliguar të respektojnë kalendarin dhe detyrat nga ministria”, ka thënë ai.

Gashi ka thënë se drejtorët nëpër shkolla shpeshherë anashkalojnë Inspektoratin dhe për shumë çështje më përpara i drejtohen organeve të rendit se vetë ministrisë.

“Ministria ndoshta s’mund të kryejë punët e caktuara, por të paktën duhet të jetë e njoftuar. Ne shpesh si ministri marrim vesh nga mediat që ka ndodh diçka në një shkollë. Janë të obliguar të përgjigjen”, ka thënë ai.

Për veprimtaritë arsimore pa leje, Gashi ka thënë se po i identifikojnë dhe se aktualisht s’ka institucion konkret që mund të thuhet se po ushtron funksionin në të zezë.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

30 gra udhëheqëse të agrobizneseve përfitojnë 300 mijë euro grante

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Burim Bajrami mori pjesë sot në tryezën tematike "Mundësitë e grave në sektorin bujqësor,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img