Nipi i tashmë të ndjerit Muhamet Ismajlit, Ridvani, ka thyer heshtjen për rrahjen masive mes kushërinjve që ndodhi dy ditë më parë në fshatin Sadovinë e Çerkëzëve të Vitisë. Ridvani 36 vjeç, që mori lëndime trupore nga kjo përleshje, rrëfen për Gazetën Express se si ndodhi ngjarja që u shndërrua në tragjedi. Për këtë rast janë arrestuar gjashtë persona, e gazeta mëson se mund të arrestohen edhe të tjerë.
Në tokën për të cilën të enjten ndodhi rrahja mes kusherinjve, dje qëndronte karrika me peshqir të bardhë- simbol që tregon se aty po mbahet e pamja.
Përleshja fizike mes kushërinjve me mbiemër Ismajli rezultoi me një të vdekur (Muhamet Ismajli 59 vjeçar), e disa të lënduar, në mesin e tyre edhe një grua. Sipas Ridvanit, Muhameti bashkë me djem e nipa ishin duarthatë, ndërsa grupi i Ismetit (pronarit të tokës), përbëhej prej 12-13 personave që siç shprehet ai “kanë ardhë të përgatitur me drunj, shufra metalike, e mjete të forta”.
Ai thotë se në përleshje janë përfshirë edhe dhondurë e çobanë nga Shqipëria të pronarit të tokës.
“Kusherinjtë ishin përgatit për këtë ngjarje. Policia ka arrestu pak persona, vetëm nga grupi i tyre ishin diku 12-13 persona (u kan një dhandër i tyre edhe dy çobantë të Shqipërisë)”, thotë Ridvani.
Ai rrëfen se si gruaja e viktimës, Kimetja, ka hyrë në turmë për ta mbrojtur djalin e saj.
“Nana e Edmondit ka dasht me mbrojt djalin ju ka gju përmbi…Ne ishim me duar në xhepa, e kusherinjtë me mjete të forta, kanë ardhë të përgatitur”, vazhdon rrëfimi.
Sipas tij kjo situatë ka zgjatur rreth 10 minuta më pas personat e përfshirë në rrahje janë shpërndarë.
Për këtë tokë, që në të klauarën ishte pronë e një serbi, të rinjt e dy familjave janë rrahur edhe më parë.
Se Muhamet Ismajli u rrah mizorisht për vdekje me lopatë dhe vegla të tjera pune, e ka konfirmuar edhe Gjykata e Gjilanit. Madje, gjatë ditës së djeshme gjykata u ka caktuar nga një muaj paraburgim gjashtë personave.
“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 02.05.2019, rreth orës 09:30 minuta në fshatin Sadovinë e Qerkezëve të Vitisë, të pandehurit F. I., B. I., S. I., I. I. dhe I. I., pas një mosmarrëveshje të një kontesti pronësor, me dashje në bashkëveprim kanë privuar nga jeta tani të ndjerin M. I., duke e goditur në mënyrë mizore me mjete të forta – vegla pune, i kanë shkaktuar lëndime vdekjeprurëse, njëherit kanë rrezikuar edhe jetën e bashkëshortes së të ndjerit K. I. dhe të pandehurit E. I”, thuhet në njoftimin e gjyjkatës, transmeton Gazeta Express.
Me këto veprime të pandehurit F. I., B. I., S. I., I. I., dhe I. I., dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘’vrasje e rëndë”, ndërsa i pandehuri E. I., veprën penale “lëndim i rëndë trupor”, vepra këto të sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Më tej, Ridvani, tregon se Muhameti atë ditë kishte pasur për ta marrë vizën e Zvicrës.
“Vizën ka pas me marrë në ora tre atë ditë e mu nis për Zvicër”, thotë ai.
Sipas, Ridvanit në rrahje kanë qenë të përfshirë një grup më i madh i kushërinjëve, por policia ka arrestuar vetëm gjashtë.
E këtë informacion e ka konfirmuar Express përmes burimeve të saja në Prokurori. Për “vrasjen e rëndë, mund të arrestohen eventualisht edhe dy-tre persona të tjerë”, tha ky burim.
Nga ajo që dihet deri më tani, deri te vrasja Muhametit erdhi puna për rreth 20 metra tokë që viktima i kërkonte nga kushëriri i tij Ismeti (një nga të dyshuarit e kësaj vrasje). Këto metra tokë viktima i kërkonte për t’i shfrytëzuar si rrugë në mënyrë që të ketë rrugëdalje në fshat.
Muhamet Ismajli 59 vjeçar mori lëndime të rënda trupore të cilave u mbijetoi vetëm pak orë. Pas ndihmës së parë që mori në spitalin rajonal të Gjilanit ai u dërgua për trajtim në QKUK ku edhe ndërroi jetë. Gruaja e tij Kimetja e përfshirë në rrahje po ashtu ka pësuar lëndime trupore, mësohet se gjendja shëndetësore e saj është stabile.
E në spitalin e Gjilanit po qëndrojnë edhe dy persona që ishin të përfshirë në këtë rrahje, gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetë.