Disa prej partive politike thonë se tashmë i kanë caktuar kandidatët për kryetarë komunash, ndërkohë që përfaqësuesit e pothuajse të gjitha subjekteve politike po vazhdojnë aktivitete intensive nëpër terren.
Ndërsa, java e tretë e gushtit shënon fundin e afatit kohor që partitë politike kanë për t`i paguar gjobat e shqiptuara gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Mospagesa e këtyre gjobave rrezikon moscertifikimin e partive politike për zgjedhjet lokale.
Shuma e përgjithshme e gjobave kap 348,900 euro ndërkohë zyrtarët e PZAP-së njoftojnë se deri më tani janë paguar vetëm 11 mijë euro nga koalicioni PAN. Në anën tjetër KQZ shprehet e gatshme për përgatitjet e zgjedhjeve lokale të 22 tetorit.
Valmir Elezi është zëdhënës i KQZ-së. Ai njofton se afati i fundit i dorëzimit të aplikimeve për certifikim të partive dhe kandidatëve për zgjedhjet lokale është ora 00:00 e 22 gushtit. Deri në atë kohë, duhet të kryhen të gjitha pagesat e gjobave në të kundërtën rrezikohet moscertifikimi i atyre subjekteve politike apo kandidateve.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2013 në gjithë vendin kishim 7 mijë e 926 kandidat të certifikuar për kuvende komunale, shkruan Zëri