Ferizaj.28.07.2017. Komuna bën thirrje që të shtohen aksionet e tilla të cilave do t’u bashkëngjitet në vazhdimësi
Familja 10 anëtarshe e Fatmir Qazimit nga fshati Cërrnillë i komunës së Ferizajt është ndjerë e gëzuar sot, më shumë se asnjëherë tjetër për arsye se për herë të parë në jetën e tyre do të jetojnë në kushte më të mira banimi.
Vështirësitë e jetës së kësaj familje janë të shumta, me telashe e shëndetësore e skamje të thellë .
Pesë fëmijët e familjes vuajnë nga sëmundje të ndryshme, kurse të ardhurat e tyre janë tepër modeste vetëm nga pensionet invalidore, e vuajtjet e familjes janë të shumëfishta.
Ndërkaq edhe kushtet e banimit ishin mjaft të rënda deri më tani, në një shtëpi të vjetër e të rrezikshme, familja pa pasur rrugëdalje mezi mbyllte ditën dhe natën.
Por, me ndihmën e njerëzve vullnetmirë fondacioni “Golden Eagle” këto ditë ka përfunduar shtëpinë e re për familjen Qazimi të cilës sot i janë dorëzuar çelësat për shtëpinë e re.
E këtij çasti janë gëzuar shumë të pranishëm që ishin sot në fshatin Cërrnill, ë e edhe kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa i cili u shpreh i gëzuar që edhe një familje ferizajase zgjodhi problemin e banimit.
Ai u zotua se komuna do të bashkëngjitet në të gjitha iniciativat humanitare kur duhet ofruar mbështetja institucionale.
“Sot në dorëzimin e çelësave të shtëpisë së re për familjen Qazimi është e pamundur të mos kesh emocione të përziera kur sheh njeriu vështirësitë me të cilat po përballen anëtarët e familjes. Falënderojmë thellësisht donatorin që ka ofruar mjetet për ndërtimin e shtëpisë diku në vlerë rreth 20 mijë euro, që kjo familje nga të gjitha problemet e krajatat e tjera që ka me fëmijët e sëmurë dhe varfërinë ekstreme, të mos ketë edhe hallin e shtëpisë . Komuna e Ferizajt gjithmonë do t’i mbështes të gjitha këto iniciativat qëllim -mira dhe do të vë në dispozicion gjithë mekanizmat për të ndihmuar këto procese.
Problemin e banimit deri më tani ne si komunë e kemi zgjidhur për më shumë se 70 familje, disave duke u ofruar banesa dhe të tjerëve duke u ndihmuar në ndërtimin shtëpive. Jam shumë mirënjohës dhe falënderues për fondacionin “Golden Eagle” të cilët i ftoj që të bashkëpunojmë ngushte edhe me afaristë të tjerë për zbutjen e problemeve të banimit sa më shpesh që të ketë mundësi”. Deklaroi kryetari Svarqa gjatë vizitës në familjen Qazimi në fshatin Cërrnillë.
Po aq të gëzuar sa familja Qazimi sot janë ndjerë edhe përfaqësues nga fondacioni “Golden Eagle” të cilët kanë dhënë mbi 20 mijë euro për ndërtimin e kësaj shtëpie.
Sipas tyre zemrat e gëzuara të këtyre fëmijëve janë një sukses dhe krenari për ta prandaj premtuan se iniciativat humanitare nuk do të përfundojnë këtu.
“Ne e kemi pasur një kërkesë për ta ndihmuar këtë familje dhe jemi të lumtur që kemi investuar pikërisht në vendin e duhur. Deri në fund të vitit do të ndërtojmë edhe 4 shtëpi të tjera dhe jemi në proces të përzgjedhjes së familjeve. Po e bashkendjejmë gëzimin me familjen dhe me të gjithë vullnetmirët”, tha Shaqir Palushi përfaqësues i fondacionit ”Golden Eagle”.
Ndërkaq ndërmjetësues i gjithë këtij procesi ishte bashkëvendasi i Fatmir Qazimit, Agon Zhinipotoku i cili ka bërë kërkesën dhe ka bashkëpunuar me donatorët për ndërtimin e shtëpisë e kësaj familjeje skamnore.
“Kjo që kam bërë unë është vetëm një kontribut modest dhe jam shumë i gëzuar që përfundoi me sukses iniciativa jonë. Kontributi dhe angazhimi im është modest e shumë njerëzor, e rëndësishme është që shtëpia përfundoi brenda 2 muajve dhe familja po gëzohet e bashke me të edhe ne. Lutemi që të kemi sa më pak raste të tilla.” pohoi iniciatori për ndërtimin e shtëpisë Agon Zhinipotoku.
Në komunën e Ferizajt janë edhe qindra familje të cilat kanë nevojë për strehim kurse komuna po mundohet të bëj zgjidhje për ta në kuadër të mundësive në baza ditore , kurse projektet e kësaj natyre pritet të jenë sa më të shpeshta muajve të ardhshëm.