.
Ferizaj.22.06.2017. Të rinjtë e fshatit Sazli sot kishin ditë të gëzuar nga se për ta ka filluar një projekt atraktiv që do t’ua përmirësoje kushtet për t’u marrë me aktivitete sportive.
Komuna e Ferizajt në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit së Pushtetit lokal kanë fituar një projekt që parasheh ndërtimin e 5 fushave sportive të cilat do të jenë në shërbim të të rinjëve dhe klubeve të ndryshme.
Fusha të tilla sportive do të rregullohen dhe në fshatrat Dremjak ,Pleshinë , Muhovc dhe Sojevë.
Kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa me këtë rast deklaroi se përmirsimi i kushteve për aktivitete sportive edhe nëpër fshatra është një tregues mirë i përkushtimit qeverisës për të plotësuar nevojat e të gjithë banorëve ferizajas aty ku jetojnë.
“Në këtë mënyrë ne po tregojmë përkushtimin tonë që të krijojmë kushte për organizimin e jetës rekreative dhe sportive për moshat e reja dhe në përgjithsi për dashamirët e sportit më konkretisht lojës së futbollit.
Ky vend në fshatin Sazli ka qenë që moti fushë sportive, por ka pas nevojë për një rregullim çfarë po e fillojmë sot, i cili do të shërbejë për lojën e futbollit të madh por edhe për stërvitjen e grupeve të tjera sportive.
Të gjitha këto fusha kanë një dimension 105 metra gjatësi me 68 metra gjerësi dhe do të kenë edhe zhveshtoret e nevojshme. Ndërkaq shpresojmë që në të ardhmen kjo fushë do të grumbullojë talentet e rinjë të cilët tashmë pas integrimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare sa përket sportit do ta kenë edhe perspektivën e përfaqësimit më të mirë” ka thënë kryetari Svarqa.
Kurse edhe banorët e fshatit Sazli kanë mirëpritur këtë investim në fshatin e tyre. Xhemajl Reçica banor i fshatit tha se për të rinjtë e këtushëm ka qenë e nevojshme një fushë e tillë e cila do t’i largojë ata nga aktivitetet devijante me të cilat shpesh përballen moshat e reja.
Vlera e projektit të këtyre fushave sportive që është një bashkëfinancim në mes komunë së Ferizajt dhe Ministrisë së Administrimit të pushtetit lokal kap shumën rreth 110 mijë euro. Ndërsa fushat sportive do të jenë të gatshme për lojë e stërvitje pas tre muajsh.