Udhëheqës të Kuvendit të komunës së dhe qeverisjes komunale të Ferizajt kanë mbajtur sot tubim publik për kornizën afatmesme buxhetore të periudhës 2018-2020.
Ndonëse pjesëmarrja e qytetarëve ishte simbolike , përfaqësues të ekzekutivit komunal shpjeguan se ky është vetëm fillimi i hartimit të buxhetit për vitin e ardhshëm, ndërsa ka mundësi edhe me tutje të bëhen ndryshime në këtë dokument.
Kryesuesi i Kuvendit të Komunës Faruk Guri i cili e udhëhoqi takimin shpjegoi se Korniza Afatmesme Buxhetore është mjaft e rëndësishme për qytetarët, ngase aty do të jenë projektet e viteve të ardhshme, ndërsa edhe rritja e buxhetit për disa kategori do të jetë mjaft e dobishme.
“Ne kemi dashur që përmes këtij diskutimi publik të marrim mendime dhe kërkesa nga ana e qytetarëve për investimet që e shohin të rëndësishme ata të projektojmë. Ky dokument do të jetë edhe në mbledhjen e Kuvendit, prandaj sugjerimet janë të mirëseardhura” tha kryesuesi Guri.
Ndërkaq drejtoresha për Buxhet dhe Financa shpjegoi se buxheti i projektuar në këtë kornizë është më i lartë se sa viteve të kaluara. Për këtë periudhë parashihet buxhet deri në 28 milionë euro, ndërsa vetëm te investimet kapitale është planifikuar rritje për 1 milionë e 100 mijë euro më shumë se në vitin e kaluar.
“Janë paraparë rritje edhe nëpër disa kategori të shpenzimeve specifike si në arsim , shëndetësi e sektorë të tjerë , ndërsa propozimet e qytetarëve do të ndihmojnë që të orientohet ky buxhet aty ku vërtet ka nevojë” potencoi drejtoresha Syla.
Qytetarët e pranishëm kërkuan që në Kornizën Afat Mesme Buxhetore të futen më shumë projekte për asfaltim rrugësh , funksionalizim të ujësjellësve dhe krijim të kushteve për zhvillim e bujqësisë, kurse pjesëtaret e shoqërisë civile thanë se ende nuk e kanë pasur ne dorë këtë dokument për të dhënë rekomandime konkrete.
Korniza Afatmesme Buxhetore për vitin 2018-2020 pritet te diskutohet dhe të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit sipas udhëzimeve që janë dhënë nga Ministria e Financave.