Lajmin për Portalb e ka konfirmuar, anëtari i Kryesisë Qendrore, Rafis Aliti, i cili nuk zbuloi detaje rreth takimeve të deritanishme të partisë. Sipas tij, sot kryetari i partisë Ali Ahmeti, do ta japë fjalë e fundit për formimin e Qeverisë, raporton Portalb.mk.
“Nuk ka ende asgjë konkrete, sot në ora 13:00 në takimin e radhës duhet që të merret vendim për koalicionin e ardhshëm”, tha Aliti.
Përndryshe, BDI dje ka mbajtur takim me nënkryetarët e partisë, ku është biseduar për vendimin për koalicioni e ri, por nuk është arritur ndonjë marrëveshje. Zëdhënësi i partisë Bujar Osmani në deklaratë për mediat tha se konsultimet do të vazhdojnë edhe sot.
“Akoma nuk ka vendim konkret. Po analizojmë nëse do të hyjmë në koalicion me VMRO-DPMNE-në. Nesër vazhdojmë me konsultimet”, ka deklaruar Osmani,
Të dielën në mesnatë i mbaron afati mandatarit Nikolla Gruevski për të formuar qeverinë e re, por nuk ka ende asnjë informacion se si zhvillohen negociatat midis palëve. Heshtje nga VMRO-DPMNE dhe BDI, përveç që herë pas herë lëshohen balona testues për publikun nëpërmjet kanaleve të ndryshme, palët nuk kanë zbuluar se çfarë ndodh në prapaskenë dhe nëse të dy palët do të jenë përsëri pjesë e qeverisë së re.
Një nga skenarët e shumëpërfolur është që ministri i jashtëm Nikolla Popovski të vijë në postin e kryeministrit. Mes tjerash, VMRO-DPMNE duket se ka lëshuar pe edhe për postin e kreut të Kuvendit, post që thuhet se më në fund do ta marrë BDI-ja.