E gjitha nisi me pushtimin e Austrisë nga Hitleri. Edhe pse në Vjenë, unë isha rritur pa asnjë identitet çifut; nuk kisha qenë asnjëherë në ndonjë sinagogë dhe asnjëherë nuk kishim festuar në familje festat e hebrenjve – duke e konsideruar veten thjesht një vajzë vjeneze. Kur Hitleri erdhi, i nxori të gjitha vajzat nga shkollat e tyre dhe i dërgoi në një shkollë të përbashkët – vetëm për hebrenjtë.
Kështu, isha aq e dëshpëruar sa nisa të shkoja nga një konsullatë në tjetrën në Zagreb, në përpjekje për të marrë një vizë në mënyrë që të shkonim diku tjetër.
Shkova në konsullatën angleze, amerikane, franceze, zvicerane… tek të gjitha këto, por ne kishin pasaporta me një J të madhe të kuqe e cila ishte një shenjë dalluese që tregonte se ne ishim refugjatë çifutë. Dhe, asnjëra nga këto konsullata nuk na ofroi shërbim. Ishte diçka vërtetë dëshpëruese. Por, më pas më thanë: “Pse nuk provon Ambasadën shqiptare?”. Të them të drejtën, në atë kohë unë nuk e dija që ekzistonte një vend me emrin Shqipëri, por pasi shkova tek Ambasada shqiptare, ishte një kënaqësi e papritur kur ata më ftuan të futesha brenda.
Ata më futën brenda konsullatës, më lanë të takohesha me Konsullin dhe më pyetën se çfarë mund të bënin për ne. Unë i thashë: “A mund të kem një vizë shqiptare”? Dhe ai më tha: “Më jep pasaportën që t’ju japim vizë”. Dhe, ashtu bëri, menjëherë. Duke i dhënë dorën njeri-tjetrit më tha: “Rrugë të mbarë dhe shijojeni qëndrimin tuaj në Shqipëri”. Pas kësaj, jugosllavët u sollën shumë keq me ne sa donin të na dërgonin si të burgosur, por ne paguam një polic privat që të na çonte në Split, që ishte një port, dhe kështu ne hipëm në një anije që do të na çonte nga deti Adriatik drejt Durrësit ku qëndruam për gjashtë muaj.
Nuk ia kishim idenë se çfarë do të gjenim apo çfarë do të bënim në Shqipëri, por të paktën e dinim se kishim një vend se ku do të shkonim dhe që nga ai moment, kuptova se Shqipëria na shpëtoi jetën, pasi nëse nuk do të kishim ardhur në Shqipëri, jugosllavët do të na kishin kthyer në Austri. Kështu, unë, ashtu si dhe Ana Frank, nuk do të ekzistonim më. Dhe, që në ato momente, doja t’i thosha faleminderit Shqipërisë./dritare.net/
Kur erdhëm në Shqipëri gjetëm një grup hebrenjsh, 45-50 nga Gjermania, Austria etj. Edhe ata mbaheshin financiarisht nga organizata ndërkombëtare hebreje me qendër në Amerikë, të cilët dërgonin para për të jetuar, për të gjitha grupet hebreje që ia kishin dalë të mbijetonin. Në fakt, personalisht them se ia kam kaluar jashtëzakonisht mirë në Shqipëri.
Kështu, nisa të miqësohesha me shumë shqiptare. Ato donin të dinin si ishte jeta në Austri, pasi dihej që jetesa vjeneze ishte shumë e sofistikuar, ndërsa ata më mësuan shumë gjëra për Shqipërinë.
Isha shumë e lumtur, pasi nga një njeri i persekutuar, vetëm pse isha hebre, shkova në një vend ku më konsideronin miken e tyre. Vëllai im që jetonte në Angli arriti që të gjente për mua dhe mamanë viza për të shkuar atje. Kështu që ne u larguam nga Shqipëria përpara pushtimit nga italianët. Ishte fillimi i vitit 1939 dhe dukej qartë që shumë shpejt do të fillonte një luftë e madhe. Kështu që Anglia pranonte refugjatë që t’i përdorte për luftën – kur të vinte koha.
E vetmja mënyrë për të shkuar në Angli ishte nëpërmjet linjës ajrore Air France, pasi vetëm ajo funksiononte në Shqipëri. Por, kur shkova me pasaportën time në aeroport, aty ishte një J e madhe e kuqe që tregonte se unë isha hebre dhe ata më thanë se nuk mund të ndaloja në transit në Paris pasi isha refugjate çifute. Unë i thashë: “Unë nuk dua të qëndroj në Francë, dua të shkoj në Angli”. Vazhdoja t’i thosha: “Vërtetë mendoni se dua të rri në Francë kur mund të shkoj fare mirë në Angli? Të jeni të bindur se shteti juaj do të jetë i pari që do të pushtohet nga Hitleri”!
Unë nuk udhëtova dot për në Francë dhe Franca vërtetë u pushtua nga Hitleri. U ktheva në Durrës dhe i kërkova ndihmë një agjenti turistik, që u bë miku im në Durrës. Ai më tha se në Napoli ishte një anije kargo që shkonte në Angli dhe kështu bëra: u nisa për në Napoli, mirëpo kur mbërrita atje më thanë se anija ishte vonuar tetë javë. Fillova të qaja pasi isha vetëm me nënën time dhe nuk njihja askënd; nuk dija çfarë të bëja. Kur dola nga agjencia e anijes, pashë një agjenci tjetër italiane e cila edhe sot ekziston. Mendova se kjo është një shenjë. Shkova dhe i kërkova se doja të shkoja në Angli. Me thanë se e vetmja mënyrë ishte nëpërmjet Gjermanisë, me linjën ajrorë KLM.
Kështu bëra: u nisa për në Romë, Milano e Frankfurt. Kur mbërrita atje ishte momenti më i vështirë që kam përjetuar në jetën time. Përpara se të nisesha i shkrova një letër vëllait tim, pasi nuk e dija nëse do të mund ta takoja në Frankfurt. Letrën ia dhashë stjuardesës. Për fatin tim, mbërrita në Angli.
Në Angli nisa të studioj ekonomi në Manchester University. Në vitin e dytë të shkollës u njoha me një profesor karizmatik të Antropologjisë. Ai ma mësoi dashurinë për antropologjinë të cilës ia kushtova jetën,transmeton ./Shqiperiaime