Ndërprerja e punimeve në revitalizimin e urës, si dhe të atyre për revitalizimin e rrugës “Mbreti Peter” në veri urës, që shtrihet deri tek ura kryesore për shkak të murit, kanë bërë që ura, e cila do të duhej të hapej më 20 janar, të vazhdojë të mbetet e mbyllur. Nuk dihet ndërkaq se kur dhe se a do të rifillojnë fare punët pasi që kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ka këmbëngulur që muri të jetë pjesë e projektit të urës dhe zonës së këmbësorëve, ndërkohë që institucionet më të larta të shtetit janë zotuar se murin do ta rrënojnë më 1 shkurt dhe pastaj të vazhdojnë punët në revitalizimin e saj.
Tani kur kanë mbetur edhe tri ditë nga dita kur Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do ta rrënojë murin e ndërtuar, shqiptarët besojnë se një gjë e tillë do të ndodhë, ndërsa serbët e pjesës veriore vazhdojnë të besojnë se muri nuk do të rrënohet.
E ndërkaq sa i përket nënshkrimit të memorandumin për definimin e kufirit, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ka deklaruar se nuk do të nënshkruajë kurrfarë memorandumi për definimin e kufirit pa u zgjidhur çështja e murit, si dhe pa u qartësuar situata rreth Suhadollit, e cila me Pakon e Ahtisaarit i takon Komunës Jugore, ndërsa sipas Rakiqit, i cili bazohet në zgjedhjet e vitit 2013 për pushtetin lokal, Suhadolli i takon Mitrovicës së Veriut pasi që ata në zgjedhje kanë votuar në atë pjesë dhe kanë përfaqësuesit e vet në Kuvendin e Veriut.
Ai pos Suhadollit synon që t’ia bashkëngjitë veriut edhe disa fshatra shqiptare, si dhe gjithë rrjedhën e lumit Ibër./zeri.info/