Hoti duke e vlerësuar lartë bashkëpunimin e vazhdueshëm me Bankën Botërore theksoi se edhe kjo marrëveshje si shumë bashkëpunime të tjera me Bankën Botërore shërbejnë për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Sipas tij, vlera e përgjithshme e kësaj marrëveshjeje është 22 milionë euro me një normë efektive të interesit 1.40%, grejs periudhë 5 vite dhe 20 vite kthim efektiv të kredisë. Projekti në fjalë ndahet në dy pjesë, përkatësisht, në përmirësimin e kanalit kryesor të ujit dhe ndërtimin e një rezervari.
“Për përmirësimin e kanalit do të nën-huazohen tek Ibër Lepenci 15 milionë euro kurse pjesa e mbetur e kredisë në vlerë 7 milionë euro do të mbetet me Qeverinë e Kosovës për financimin e ndërtimit të rezervuarit. Përveç përmirësimeve infrastrukturore të kanalit që do të ndodhin duke filluar nga Ujmani deri në Obiliq, do të adaptohet/aplikohet edhe një sistem i avancuar elektronik i cili do t’i mundësoj Ibër Lepencit të mbikëqyr kanalin, të mbledh dhe analizoj të dhënat nga tereni në kohë reale”, shtoi Ministri Hoti.
Ai gjithashtu bëri të ditur se “Pjesa e dytë e projektit ka të bëjë me ndërtimin e një rezervuari të ujit në Mihaliq dhe lidhjen e tij me kanalin e ujit. Ky rezervuar do të shërbej për situata emergjente të cilat mund të ndodhin në të ardhmen”.
Ndërsa, drejtori i Bankës Botërore për Kosovë Marco Mantovanelli tha se “Uji është në qendër të zhvillimit ekonomik dhe social, ai është vital për ruajtjen e shëndetit, kultivimin e ushqimit, prodhimin e energjisë, menaxhimin e ambientit përfshirë edhe ndikimet e vërshimeve ose thatësirave, dhe për krijimin e vendeve të punës”, transmeton Klan Kosova.