Deklaratës së Presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliq, se askush të mos guxojë t’i sulmojë serbët e Kosovës, sepse Serbia do të ndërhyjë, i është kundërpërgjigjur kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Mustafa ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se serbët kosovarë s’ka nevojë t’i mbrojë Beogradi, sepse ata janë të mbrojtur nga Republika e Kosovës.
“Serbët e Kosovës janë qytetarë të barabartë të Republikës sonë. Ata nuk ka nevojë që t’i mbrojë Beogradi dhe t’i ndajë me mure nga qytetarët e tjerë, sepse në asnjë formë nuk janë të rrezikuar dhe nuk do të jenë të rrezikuar. Kemi nevojë të komunikojmë dhe të punojmë të gjithë për të ndërtuar një perspektivë të përbashkët evropiane”, ka shkruar Mustafa.
Kryeministri kosovar ka rikujtuar se Kosova është e “orientuar fuqishëm për paqe dhe siguri në rajon, për të qenë pjesë e familjes së vendeve të Bashkimit Europian dhe për miqësi të përhershme dhe strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Të gjitha çështjet me fqinjët jemi të interesuar t’i zgjidhim përmes dialogut. Konsideroj se koha e provokimeve, konflikteve dhe luftërave duhet të ketë shkuar”.
Mustafa ka shtuar se kohëve të fundit shteti serb po bën provokime të vazhdueshme duke kërkuar që deputetët dhe ministrat serbë në Kuvend përkatësisht në Qeverinë e Kosovës duhet të përfaqësojnë dhe mbrojnë qëndrimet e Qeverisë së Serbisë.
“Pastaj, fletarrestet e lëshuara ndaj luftëtarëve të UÇK-së dhe arrestimi i Haradinaj në Francë mbi këtë bazë, ndërtimi i murit në pjesën veriore të Mitrovicës nga Beogradi në bashkëpunim me strukturat e tyre paralele në Kosovë dhe së fundi tentimi që të futet një tren në vendin tonë pa leje të institucioneve të Kosovës, i veshur me parulla që provokojnë qytetarët, ligjin dhe rendin kushtetues”.
Këto ka shkruar Mustafa “janë veprime të papranueshme, të panevojshme dhe nuk i kontribuojnë fqinjësisë së mirë dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona”.
“Kosova është e interesuar të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, t’i integrojë qytetarët serbë në institucionet dhe në jetën demokratike të vendit, sikurse edhe të gjithë pjesëtarët e komuniteteve joshumicë”.
“Por, kjo gatishmëri duhet të përcillet me qëndrime konstruktive të Serbisë ndaj këtij procesi, si dy vende që aspirojmë të bëhemi pjesë e familjes së Bashkimit Evropian”.
“Institucionet e Republikës së Kosovës kanë punë shumë më të rëndësishme se sa të merren me një tren, të mbushur me ikonografi dhe të veshur me parulla provokuese me pretendime okupatore, që nuk i shërbejnë, jo qëllimit por as idesë për fqinjësi të mirë”.
“Institucionet e Kosovës kanë për detyrë të ofrojnë siguri për të gjitha mjetet e transportit që qarkullojnë në Kosovë; ato e kishin bërë të qartë se një tren i tillë nuk ka siguri të hyjë në Kosovë dhe se duhet të parandalohet hyrja e tij”.
“Këtë ua kemi bërë të ditur të gjithë faktorëve relevantë vendorë dhe ndërkombëtarë me kohë”.
Mustafa ka shkruar edhe se muri në Veri do të largohet, ndërsa ka risiguruar se për të nuk do të diskutohet në Bruksel. Ka potencuar po ashtu edhe se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të formohet dhe se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.