Drejtori i Inteligjencës Kombëtare amerikane, James Clapper, ka thënë se ai ka biseduar me Trump më 11 janar, pasi është publikuar lajmi se Trump, derisa është informuar për sulmet kibernetike ruse, i është thënë se dyshohet që operativët e inteligjencës ruse kanë mbledhur informacione komprometuese personale dhe financiare rreth Trumpit.
“E nënvizova se ky dokument nuk është prodhim i komunitetit të inteligjencës amerikane dhe se nuk besoj që rrjedhja në media është bërë nga dikush brenda komunitetit”, ka thënë Clapper, duke shtuar se rrjedhjet e “dëmtojnë sigurinë kombëtare”.
Para së gjithash, ka thënë ai, agjencitë e inteligjencës nuk e kanë vlerësuar burimin e këtyre informacioneve si “të besueshëm”.
Sipas Associated Press, dosja përmbanë informacione të pa verifikuara rreth bashkëpunimit të afërt të rrethit të brendshëm të Trumpit me rusët sa i përket sulmeve kibernetike ndaj llogarive të demokratëve. Aty, duke u mbështetur në burime anonime, raportohet se ka edhe pretendime të paverifikuara për aktivitete seksuale të Trumpit.
Trump është zemëruar shumë nga raportimet e mediave rreth dosjes duke e quajtur “lajm të rremë”. Ai gjithashtu ka akuzuar agjencitë e inteligjencës se e kanë rrjedhur dokumentin në media./rel/
.