Reshjet e mëdha të borës kanë bllokuar plotësisht zonat më të thella të vendit, ndërkaq në gjithë Kosovën qarkullimi është vështirësuar dukshëm. Në gjendje emergjente ndodhen fshatrat, e sidomos ato që shtrihen në zonat e thella malore, ku qarkullimi është ndërprerë që nga mbrëmja e së enjtes. Ndërsa, rruga Pejë-Kullë është mbyllur për të gjitha automjetet. Kosovarët janë përballur dhe me aksidente të shumta, jo vetëm në rrugët kryesore, por dhe ato në qendër të qyteteve. Sipas Policisë së Kosovës aksidentet me lëndime janë rritur nga 15 në 27 aksidente dhe ato me dëme materiale nga 45 në 100 aksidente. Qyteti që po përballet me gjendje emergjente është Ferizaj. Në këtë qytet janë krijuar dhe ortekë të vazhdueshëm, që kanë vështirësuar qarkullimin në gjithë Komunën, duke i bërë shumicën e rrugëve vështirë të kalueshme.
Ferizaj formon shtabin emergjent
Komuna e Ferizajt ka formuar shtabin emergjent për t’iu dalë në ndihmë banorëve. Kryetari i Komunës, Muharrem Svarqa, ka deklaruar gjatë të premtes se i tërë stafi i tij është në gjendje gatishmërie dhe po përpiqet të mobilizojë të gjitha burimet njerëzore dhe teknike, për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.
Ndërkohë, sipas tij, disa nga kompanitë më të mëdha që veprojnë në këtë komunë tashmë gjenden në terren duke pastruar borën nga rrugët.
Svarqa iu ka bërë thirrje kompanive të tjera publike e private, që kanë mekanizëm adekuat për pastrimin e borës, institucioneve dhe qytetarëve, që të mobilizohen, për ta tejkaluar situatën e krijuar nga reshjet e fundit. Por, ai ka thënë se Kompania “Pastërtia” ka dështuar për mirëmbajtjen e rrugëve. Svarqa ka thirrur në një mbledhje urgjente Këshillin Komunal të Sigurisë në Bashkësi të Ferizajt.
.