“Kreditë e destinuara për sektorin e tregtisë paraqesin kategorinë më të madhe të gjithsej kredive për ndërmarrjet, pasuar nga kreditë e destinuara për sektorin e industrisë së prodhimit, dhe kreditë për sektorin e ndërtimtarisë. Sektori i bujqësisë vijon të ketë qasje më të ulët në kreditimin bankar për kundër rritjes së shënuar në vitet e fundit”, thuhet në raportin e BQK-së, të Raporti të Stabilitetit Financiar, raporton RTKlive.
Sipas BQK-së, sektorët ekonomik të cilët përgjithësisht kanë pjesëmarrje më të ulët në kreditimin bankar, siç janë sektori i shërbimeve financiare dhe patundshmëri, shërbimeve tjera, minierave dhe ai i bujqësisë shënuan rritje më të theksuar gjatë kësaj periudhe. Këta sektor njëkohësisht kishin edhe kontributin kryesor në ruajtjen e ritmit të rritjes së kreditimit për ndërmarrje ngjashëm me periudhën paraprake.
“Sektori i tregtisë shënoi ngadalësim të rritjes prej 1.1 për qind në qershor 2016 krahasuar me rritjen vjetore prej 8.8 për qind në qershor 2015. Po ashtu edhe kreditë e reja ndaj sektorit të tregtisë gjatë periudhës janar-qershor 2016 shënuan rënie vjetore prej 27.9 për qind krahasuar me rritjen prej 18.6 për qind në periudhën paraprake. Sektori i prodhimtarisë, që në dy periudhat paraprake kishte rritje dyshifrore, në qershor 2016 shënoi rënie vjetore prej 0.6 për qind. Po ashtu, kreditë për sektorin e ndërtimtarisë, për të katërtin vit me radhë u karakterizuan me rënie. Kreditë për sektorin e minierave, në qershor 2016, shënuan rritje vjetore prej 48.8 për qind që paraqet një përmirësim të theksuar krahasuar me rënien vjetore prej 8.5 për qind në qershor 2015”, thuhet në raportin e BQK-së, të Raporti të Stabilitetit Financiar.
.