Duke vlerësuar pozitivisht marrëdhëniet dypalëshe, ministri Hoxhaj tha se sa i takon numrit të deputetëve të shqiptarëve, është shumë e rëndësishme që ata të përdoren për formimin e një qeverie funksionale e cila do të jetë në interes edhe të qytetarëve shqiptarë.
Shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj, ka shprehur shpresën se mandatet e fituara nga partitë politike shqiptare do të jenë në të mirën e qytetarëve shqiptarë që jetojnë këtu dhe numrat të mos shihen vetëm si statistikë.
‘Mbajtja e zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike në Maqedoni, ka qenë një lajm i mirë për këtë vend, por edhe për gjitha vendet e rajonit dhe për pikëpamjen tonë, shqiptarët e Maqedonisë kanë treguar një pjekuri politike. Kam pa që ka debate të ndryshme. Sa i takon numrit të deputetëve të shqiptarëve në Maqedoni, mendimi jonë është se politika nuk duhet të shihet çdo herë si statistikë, por është shumë më rëndësi se si këta deputetë të përdoren për formimin e një qeverie funksionale e cila është në interes edhe të qytetarëve shqiptarë që jetojnë atje” vlerëson ministri Hoxhaj.
Hoxhaj po ashtu u shpreh se mbështetjen e Prishtinës zyrtare dhe të popullit të Kosovës e ka çdo parti politike shqiptare e përfaqësuar në parlament dhe shqiptarët duhet të dalin me një platformë të përbashkët.
‘Interesi bazik që ndjek Republika e Kosovës në raport me Maqedoninë, përveç parametrave rajonal që kanë të bëjnë me paqen, sigurinë dhe stabilitetin në këtë vend dhe në Ballkanin Perëndimor, ka të bëj edhe me interesat themelore për popullatën shqiptare e cila jeton në Maqedoni. Për ne çdo parti politike shqiptare në parlamentin maqedonas është partner i Kosovës që ka mbështetje të shtetit të Kosovës dhe të shoqërisë kosovare. Mirëpo ajo e cila do të duhej të bashkojë faktorin shqiptar atje është se si të gjitha partitë politike ta kenë një platformë, e cila platformë politike, do t’i lëvizë ato që ta adresojnë problemin e përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në të gjitha nivelet e shtetit maqedonas, se si të ketë një shpërndarje më të mirë të buxhetit në nivel lokal dhe në nivel qendror dhe se si të ketë përfaqësim më të mirë të shqiptarëve që jetojnë atje në administratën publike’ ka thënë ai.
Ministri Hoxhaj, duke folur për perspektivën e marrëdhënieve Maqedoni-Kosovë, pas këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme, tha për TV Art se ato janë të shkëlqyeshme në të gjitha planet.
Rrjedhimisht, marrëdhëniet mes dy fqinjëve, Maqedonisë dhe Kosovës, janë përshkuar nga lëvizje pozitive. Qarkullimi i qytetarëve të të dyja vendeve prej para disa muajsh, si dhe me vendet fqinje, bëhet vetëm me letërnjoftime, ndërkohë që Maqedonia ka mbështetur ndër të tjera aderimin e shtetit më të ri të kontinentit në organizmat ndërkombëtarë.
.