Ky ka qenë një prej konkluzioneve kryesore të një studimi shkencor, që u paraqit në një prej sallave të Universitetit “Maqedonia” të Selanikut, të organizuar nga Fondacioni grek për Politikën Europiane dhe të Jashtme (ELIAMEP), shkruan top-channel.
“Shumë nga stereotipet dhe klima e keqe që ekzistojnë në popujt e dy vendeve, ose si e shikojnë njëri-tjetrin qytetarët e tyre kalon nga mediet”, tha Joannis Armakolas, profesor në Universitetin “Maqedonia”, Selanik.
Sipas hulumtuesit Panagiotis Pasxalidhis, prej vitit2014 janë zhvilluar dy vite studime në analizat e 949 artikujve të 5 gazetave kryesore të Greqisë, nga spektri i majtë deri tek ai i djathtë. Më shumë janë pasqyruar 4 ngjarjet kryesore të këtij viti në lidhje me Shqipërinë, si presidenca greke, çështja “Kareli”, reforma territoriale dhe ndeshja Serbi-Shqipëri. Të gjitha janë trajtuar me syzet e bindjeve të çdo gazete, ku shtypi i majtë ka qenë më kritik ndaj nacionalizmit, ndërsa ai i djathtë ka ruajtur stereotipet e shfaqura gjatë viteve ’90, megjithëse vihet re një distancim nga ai këndvështrim.
Një nga qasjet më interesante të një prej profesorëve të ftuar për të komentuar këtë studim ka qenë edhe ai për çështjen çame.
“Mirë apo keq, historia ka kaluar dhe nga ana tjetër duhet që edhe pala greke të thotë ‘Po, u bë një spastrim etnik në atë kohë nga ushtria demokratike e Greqisë. Disa prej çamëve ishin bashkëpunëtorë të gjermanëve, u larguan të gjithë dhe nuk mund të kenë tashmë të drejta te pasuritë’ dhe të mbarojë kjo çështje”, tha Kostandinos Tsitselikis, profesor i të njëjtit universitet.
Të pranishmit, kryesisht studentë, kanë ndjekur edhe studimin e bërë nga Instituti shqiptar i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, ku në 223 artikujt e analizuar nga 3 gazeta shqiptare në 6 muaj të 2014-s, këndvështrimi varet nga rasti dhe tema, ndërsa konkluzioni i studiuesve nga artikujt është se Tirana nuk ka besim tek Athina, edhe kur kjo e fundit e ka mbështetur.
.