28,12,2024

Mjedra me Kancer

Must Read

Sipas fermerëve, rreth 440 mijë fidanë të mjedrave të importuara nga firma “AgroProduct Commerce”, dolën të sëmura. Dështimi i tyre u ka shkaktuar humbje të mëdha. Kompania tha se fidanët i kanë certifikatat se ishin të shëndosha kur hynë në Kosovë.

Fermerë që kultivojnë mjedra kanë diskutuar me anëtarët e Komisionit për Bujqësi, Mjedis, Pylltari e Zhvillim Hapësinor, për problemin me të cilin janë përballur sivjet.

Ata u ankuan se fidanët e mjedrave kishin dy sëmundje: kërpudha (që e thajnë fidanin), dhe kancerin e bimëve.

Habib Mekolli, përfaqësues i fermerëve, tha se këto sëmundje u kanë shkaktuar humbje të mëdha.

“Na prej fillimit të gushtit e vërejtëm se diçka nuk është në rregull me këto mjedrat tona dhe filluam me kërku shkakun. Kemi pas një ekspert që i ka mbikëqyrë gjatë gjithë vitit mirëpo kemi provuar në rend të parë me folë me zotërinë që na i ka sjellë fidanët dhe ia kemi sqaru që një pjesë e madhe e këtyre fidanëve në pranverë kanë dështu”, tha ai.

Sipas Mekollit, gjatë pranverës ka dalë kompania “AgroProduct Commerce” në bashkëpunim me USAID-in dhe e ka bërë inspektimin e këtyre fidanëve të dështuar, dhe u është premtuar se do t’u sillen të tjerë në vjeshtë .

“Ndërkohë ato fidane që filluan me u zhvillu stagnuan. Në një takim që e kemi pas me kompaninë në fillim të shtatorit ky na ka thënë shkurt: “ju i keni lypë fidanët unë iu kam pru shteti më ka leju me i shitë, me mu mo s’keni punë’”, tha Mekolli.

Fermerët thonë se i janë drejtuar edhe Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Podujevës.

Sipas tyre, kjo Drejtori i ka bërë shkresë Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit dhe pastaj AVUK ka dalë në terren dhe i ka marrë mostrat.

“Rezultatet kanë dalë kah 20 tetori, aty thuhet se ato dyshimet tona janë dëshmu”, shtoi Mekolli.

Ndërsa, Avni Shabani nga kompania “Agroproduct Commerce”, e cila ua kishte shitur fermerëve fidanët, tha se ky material ka hyrë përmes doganave dhe i është nënshtruar kontrolleve të përcaktuara me Ligj.

“Punëtorët sanitarë që kanë qenë i kanë bërë kontrollet, i kanë bërë edhe procesverbalet dhe inspektorët fitosanitar kanë ardh, i kanë marrë mostrat, i kanë dërguar në laboratorë, mandej deri sa kanë dalë analizat prej laboratorëve ku i kanë dërgu ne nuk kemi shitë asnjë fidan pasi janë kthyer të gjitha analizat dhe raportet dhe në asnjë analizë te na nuk është prezantuar që fidanët janë të infektuara dhe ndalohet shitja apo mbjellja e tyre”, tha Shabani.

Po ashtu, Avni Shabani thotë se kompania angleze me të cilën   bashkëpunon “AgroProduct Commerce” u ka thënë se fermerëve do t’u kompensohen të gjithë humbjet e fidanëve.

Ndërsa, kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Valdet Gjinovci, tha se këta fidanë kanë hyrë në formë të rregullt në Kosovë.

“Pasaportë e lejimit të importit është certifikata mbi gjendjen shëndetësore, certifikata fitosanitare, e cila garanton për produktin sa i përket prezencës së sëmundjeve të ndryshme”, tha ai.

Ai nuk hodhi poshtë mundësinë që fidanët të jenë infektuar edhe pasi që kanë hyrë në Kosovë.

Kurse, deputeti Shaip Muja tha se nga aspekti i fushëveprimit kjo s’ka të bëjë me deputetët dhe se personat që marrin donacione për të filluar kultivimin e mjedrave duhet të jenë të përgatitur.

“Unë kam kritiku dhe vazhdoj me kritiku që mos me ju dhanë juve financim pa e kry edukimin e testuar të qëndrueshëm, pa edukimin bazë që duhet me pas të pasqyruar e të certifikuar nuk mundem me i mbërri rendimentet”, tha Muja.

Ndërsa deputeti Adem Salihu nga radhët e LDK-së tha se do u mbetet deputetëve të diskutojnë për këtë çështje. Ai tha se qëllimi i tij është që të dihet çka ka ndodhë.

“Sot nuk e kemi thirr askënd as ta favorizojmë as gjykojmë, ne do të dëgjojmë të gjithë pa përjashtim dhe pastaj komisioni do të ulet të diskutojë, të marr qëndrime a do ta procedojë këtë çështje në Kuvend”, tha ai.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img