“ABC News” ka mësuar se njësia e Antiterrorit të Policisë së Shtetit dhe Prokuroria për Krime të Rënda, kanë siguruar një material voluminoz përgjimi, që provon se nga burgu disa nga 9 të dënuarit komunikojnë me shtetas shqiptarë dhe të huaj që dyshohet se janë pjesë e ISIS-it në Siri, Irak e Turqi.
Sipas akuzës, telefonatat janë bërë nga kabinat e paraburgimit dhe burgjeve ku 9 të dënuarit janë izoluar, me numra të shteteve si Siria, Iraku dhe Turqia. Disa nga këto biseda, thonë burimet janë transkriptuar ku të dënuarit komunikojnë dhe interesohen për gjendjen e shqiptarëve që ndodhen atje dhe suksesin e ushtarëve të ISIS-it kundër ushtarëve të regjimit të Bashar-Al-asadit.
Mësohet se nga burgu, të dënuarit komunikonin edhe me 4 të arrestuarit e ditëve të fundit, Bekim Protopapa, Ergys Faslija, Xhezair Fishti dhe Medat Hasani. Burimet thonë se komunikimet më të shpeshta me të dënuarit i mbante mjeku i Malësisë së Madhe Protopapa, që dyshohet si bashkëpunëtor i disa shtetasve nga Kosova dhe Maqedonia për të kryer akte terroriste në Shqipëri.
Në shumicën e rasteve, mësohet se bisedat e të dënuarve me shtetasit shqiptar dhe të huaj është bërë në gjuhën arabe dhe që po pritet zbardhja dhe përkthimi i tyre për të parë nëse ka ndonjë bisedë me vlerë për hetimin e nisur për sulme terroriste në Shqipëri.
Nga ana tjetër, prokurorët mësohet se kanë kërkuar sekuestrimin e librave të takimeve të 9 të dënuarve që kanë zhvilluar brenda institucioneve të paraburgimit në Tiranë. Veprim ky për të zbardhur takimet e mundshme me personat e tjerë jashtë rrethit familjarë, për shkak të dyshimeve se edhe pse të dënuar dhe të izoluar në burg, ata vazhdojnë kontaktet me besimtar të tjerë, me të cilët komunikojnë për ti ofruar ndihmë myslimanëve në luftën e Sirisë dhe Irakut për krijimin e një shteti islamik.
Të dënuarit për terrorizëm
Genci Balla
Bujar Hysa
Fadil Myslimani
Zeqir Ymeri
Gerti Pasha
Edmond Balla
Orion Reci
Astrit Tola
Verdi Morava
.