Me këtë rast, Qeveria e Kosovës ka miratuar Agjendën për Reforma Evropiane, dokument ky që del nga MSA-ja dhe përmbushjes së kritereve nga Kosova drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Me këtë rast, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa e ka vlerësuar këtë si një dokument tepër të rëndësishëm, i cili e orienton punën e Qeverisë edhe sa i përket anës ekonomike dhe politike të implementimit të MSA-së, por edhe në krijimin e hapësirës në të ardhmen për integrim në Bashkimin Evropian.
“Është një agjendë që kërkon një sinergji të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të organeve të pavarura. Do ta promovojmë së bashku me Komisionerin Hahn në fund të kësaj jave, mirëpo më vonë mbetet që ne konkretisht të angazhohemi në implementimin e saj”, ka thënë Mustafa.
Ndërsa, zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi, gjatë prezantimit të Agjendës për Reforma Evropiane, ka theksuar se ajo është rezultat i një përpjekjeje të gjatë të institucioneve në nivelin më të lartë politik, bashkërisht edhe me institucionet e BE-së dha ka rëndësi të veçantë politike, por edhe në përmbushjen e detyrimeve të veçanta që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.
.