Një person ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar si pasojë e shembjes së dheut në fshatin Kllodernicë të Skënderajt.
Rastin e ka konfirmuar për Kallxo.com, mjeku kujdestar në spitalin rajonal të Pejës, Gëzim Devolli.
Sipas tij, viktima është i moshës 16 vjeçare nga fshati Runik, kurse personi tjetër i lënduar nga rrethina e Istogut, i moshës 17 vjeçare.
Mjeku Gëzim Devolli tha se viktima ka humbur jetën si pasojë e shembjes së dheut, dhe është sjellë pa shenja jete në spital, kurse i lënduari është i shtrirë në repartin e Ortopedisë dhe, sipas tij, është jashtë rrezikut për jetë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, konfirmoi se ngjarja tragjike ka ndodhur në fshatin Kllodernicë të Skënderajt.
“Viktima në kohën e incidentit ka qenë me familjarët e tij, ka qenë duke e mbushur rimorkion e traktorit me zallë”, tha Zahiti.
.