24,11,2024

NE  jemi Shqiptar, Kosovar dhe Evropian

Must Read

Salihe Salihu- PhD Kandidate

Debati që ka shpërthyer rreth identitetit dhe që po vazhdon e po përcjellet ende me polemika nuk është gjë tjetër veç krijimi i konfuzionit, i trumbetimit të ndjenjës së vizionarit apo të ndonjë arsye enigmatike. Me këtë mënyrë po bëhet përzierja e kompetencave të disiplinave shkencore, e gazetari, e letrarit, apo e ndonjë aktori tjetër për tu marrë me politikë, diplomaci, sociologji, psikologji, e po të përgjithësojmë këtë vlerësim del se kjo përzier është në të gjitha fushat bile edhe ato sportive.

Me plotë të drejt mund të kërkohet përgjigje nga ata që shkruajnë me kaq trumbetim se sa libra kanë analizuar rreth identitetit, sa programe studimore universitare kanë përfunduar rreth identitetit dhe sa herë e kanë ventiluar çështjen e identitetit në seminare apo konferenca shkencore ndërkombëtare. Shprehjet dhe pikëpamjet e tyre janë çorientuese dhe nuk kontribuojnë hiç asgjë bile shtrohet pyetja se përse pikërisht tani po debatohet për identitetin kosovar. Veprimet e tilla më rikujton periudhën e shteteve kur bënin përpjekje të bëheshin pjesë e Unionit Evropian dhe oponentë e taborit jo-evropianeve artikulonin negativisht identitetin evropian me qëllim që të forconin taborin për mbrojtjen e identitetin e vet. Kishte të tjerë që referoheshin shkrimeve akademike duke argumentuar se një gjë e këtillë do të jetë e mundshme në botën kozmopolitane. Pra rreth kësaj ide kosmopolitan ka optimist të dehur por edhe skeptikë të vrazhdë – që përplasen vazhdimisht por kjo në Perëndim zhvillohet në qarqe të ngushta akademike e jo si të përmasave në Kosovë.

Stërkeqia e këtij debati ka edhe mangësi tjera. Krejt harrohet se ka identitete që mund të bashkohen por ka edhe identitete që mund të jetojnë si separatum sa të jetë jeta si për shembull identiteti i përkatësisë shtetërore, etnike, fetare, gjuhësore, gjinore, sociale, kulturore , krahinore, etj.

Koncepti identitet është mjaft i ndërlikueshëm dhe akoma më i komplikuar bëhet kur flasim për identitetin kombëtar. Pa shpalosjen e këtij koncepti në nivel të lartë shkencore dhe pa marrjen e inputeve nga njerëz që vërtetë kanë njohuri rreth kësaj çështje debati deformohet edhe nëse ky debat mund të ketë qëllim të dëlirët. Keqtrajtimi dhe keqinterpretimi i konceptit dhe prezantimi i tij jo-koherent me politikën vendore dhe pa kohezion shoqëror është një humbje dhe shpenzim i energjisë intelektuale dhe shkakton vërtetë një gjendje tensionale që prodhon vetëm produktivitet negativ. Ky koncept duhet të elaborohet në qarqe akademike dhe elita obligohet që të sjell shumë argument shkencore dhe fakte rreth koncepti identitet kombëtar.

Në këtë kontekst, rreth identiteti kosovar apo shqiptar, elita pa ndonjë argument faktik përpiqet të konstruktoj diçka imagjinare apo diçka të admiruar dhe si rezultat i përpjekjeve të tilla të krijoj një rreth vicioz. Për shembull a munden këta intelektual, që flasin për identitetin kosovar, të vërtetojnë me fakte, (përveç faktit se ekziston identitet shtetëror që dallon mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës), se çfarë e dallon identitetin shqiptar me etninë më të madhe në Kosovë? Çfarë baze mund të ketë për nxjerrjen e ndonjë distikcion themeltar mes identitetit kombëtar shqiptar me identitetin e popullit shumicë të Kosovës?, apo të konstatojmë se të gjithat shkrimet dhe deklarimet janë veç pjellë fiktive.

Identiteti si koncept është i lidhur ngushtë me gjuhë emotive prandaj nuk duhet të anashkalojmë këtë fakt. Në respektimi të këtij relacioni mund të pyesim se si mund të të injorohet ndjena e popullatës e cila po të dilet sot në referendum për kombin mbi 95 % do të deklaroheshin si shqiptarë. Kjo është një e drejtë e pa tjetërsueshme që secili duhet ta gëzoj të drejtën e përkatësisë. Si rrjedhojë shumica dërmuese e bën këtë përzgjidhje sepse nuk ka kush që mund të mohoj se ne me përkatësi kombëtare jemi shqiptar por që kemi konstituuar një shtet multi- etnik që quhet shteti i Kosovës. Nga ky konstituim të gjitha grupet etnike, që sipas kushtetutës në nenin 1 pika 2 thotë se Republika e Kosovës është e shtetasve të vet kurse në nenin 3 pika 1 precizon… e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera.., Ky formulim i tekstit të kushtetutës qartëson se secili grup në këtë përbërje e ruan përkatësin të tij pa pasur nevojë që ti asimiloj tiparet e veta, sepse askund nuk përmendet shkrirja e identiteteve drejt identitetit kosovar. Në të njëjtën kohë supozoj që edhe nëse ekzistojnë 5 % që mund të konsideron veten si kosovar nuk duhet gjykuar negativisht sepse perspektivat individuale është e lirë në shtetin demokratik të Kosovës.

Po meqë jemi te shembujt e konstituimit të identiteti kombëtar duhet të marrë një shembull ndonëse po më duket pak i vrazhdë ilustrimi i federatës jugosllave, sepse kam ndrojë që mund të keqinterpretohet, por më duhet të përmend sepse gjatë studimeve që kam bërë rreth dezintegrimit të Jugosllavisë ka rezultuar se identifikimi si jugosllavë ka qenë shumë i zbehtë apo fare simbolik gjatë ekzistimit të Federatës. Në teori të shumta rreth identitetit pohohet se identifikimi ankorohet kur ka interes pozitiv të përbashkët e në rast të kundërt ky identifikim përbuzet (Punimi shkencor i magjistraturës, f. 14, viti 2003, mund të gjeni në Fakultetin e Shkencave Politike në Lund të Suedisë). Në rastin e Kosovës interesi i përbashkët është bashkëjetesa e gjithë qytetarëve pa lëkundjen e emocioneve apo acarimit të çështjes se cilit identiteti kombëtar i përkasim.

Vështirësi të ngjashme të identifikimit të identitetit po i përjeton edhe koncepti i identiteti evropian në shumë shtete të Evropës. Por, po të shtrohet pyeta tek ne në Kosovë se a jemi Evropian apo të ketë ndonjë referendum se a jemi evropian sigurisht që do të pohonim se po, ne jemi evropian, sepse nuk mund t’a mohojmë ekzistencën tonë në territorin Evropian ashtu siç nuk mund të mohojmë ekzistencën brenda shtetit të Kosovës apo të qenurit e përkatësisë Shqiptare.

Krejt në fund pa dashur që të supozoj se po shpik diçka të jashtëzakonshme mund të them se referimi Shqiptarë, Kosovarë e Evropian jepet në bazë të pyetjeve fillimisht: çfarë shtetësie ke; çfarë kombi je; çfarë kulture ke apo nga je?, e shumë pyetje tjera që mund të sjellin përgjigje me interes pozitivë:

Ne jemi Shqiptar, Kosovar dhe Evropian sepse të gjitha identitetet janë në interes pozitivë dhe asnjë identitet nuk mund të jetë i cenueshëm nëse është interes vital por paraprakisht duhet të jetë i pranuar emocionalisht dhe i definuar kushtetueshmërisht.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Arrestohen tre persona në Ferizaj, njëri për vjedhje dhe dy për pengim në detyrë të zyrtarëve policor

Më datën 21.11.2024 rrth orës 19:00 kemi pranuar informatën se në rrugën ‘’Dëshmorët e Kombit’’ në Ferizaj, në dy...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img