26,11,2024

Suhodolli, sherr për ‘demarkacionin’ mes dy komunave të Mitrovicës

Must Read
Suhodolli

Rreth kësaj çështje, më herët u mendua se qëndrimet mes palëve janë përafruar, mirëpo, ato vazhdojnë të mbeten ende larg, secila në pikëpamjen e vet. Derisa Prishtina zyrtare thotë se kufiri administrativ i komunës së Mitrovicës së jugut, bazuar në hartën që del nga dokumenti i Marti Ahtisaarit, dokument ky në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës në vitin 2008, përfshinë brenda edhe fshatin Suhodoll, që ndodhet në anën veriore të lumit Ibër, veriorët e kundërshtojnë një gjë të tillë.

Ministrja për dialog, Edita Tahiri, ka bërë të ditur për KosovaPress se kjo çështje është përcaktuar qartë me ligjin  për vijat administrative komunale të Republikës së Kosovës, dhe nuk do të ketë kurrfarë ndryshimi rreth kësaj.Ajo ka potencuar se asnjëherë në Bruksel nuk është diskutuar kjo çështje, dhe as që do të diskutohet, sepse është çështje e brendshme e Kosovës.

Sipas saj, ajo që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) është duke përpiluar, ka të bëjë me një memorandum për Mitrovicën dhe dy kryetarët, me të cilin do të respektohen ligjet e Kosovës.

Komunat e Kosovës, shtoi ajo, me ligj obligohen që planifikimet urbane t’i bëjnë duke respektuar planifikimin urban shtetëror. Ajo u shpreh e bindur se duke u ofruar koha para zgjedhjeve, kjo çështje do të përfundojë dhe MMPH-ja është duke punuar intensivisht në këtë drejtim.

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, theksoi se kufiri në mes të jugut dhe veriut të Mitrovicës mbetet në përpikëri ai që ka qenë më herët.Ndërkaq, kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq, foli ditë më parë rreth kësaj çështje, duke thënë se vija administrative në mes të Mitrovicës veriore dhe jugore akoma s’ka përfunduar.

Ai gjatë një deklarate dhënë para gazetarëve në veri të Mitrovicës, tha se banorët e fshatit Suhodoll janë pjesë e komunës veriore dhe se në zgjedhjet lokale të fundit kanë votuar për zgjedhjen e strukturave komunale të komunës veriore të Mitrovicës, andaj nuk heq dorë nga kjo.

Në anën tjetër, shefja e BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, gjatë vizitës së saj para disa ditësh në veri të Mitrovicës, ka shprehur shpresën e saj se në të ardhmen më nuk do të flitet për Mitrovicën Veriore dhe Jugore por vetëm për Mitrovicën./KosovaPress/

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

30 gra udhëheqëse të agrobizneseve përfitojnë 300 mijë euro grante

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Burim Bajrami mori pjesë sot në tryezën tematike "Mundësitë e grave në sektorin bujqësor,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img