Pavarësisht se në të kaluarën disa herë kishin premtuar, tani nga dikasteri i Nikolla Popovskit, nuk përgjigjen në pyetjen nëse planifikohen seanca të përbashkëta qeveritare me qeveritë e dy shteteve fqinje.
Ndonëse mungojnë takimet mes qeverive, zv/kryeministri Vlladimir Peshevski thotë se Maqedonia ka bashkëpunim me këto dy vende.
“Ministrat e Qeverisë së Maqedonisë në vazhdimësi kanë takime me kolegët e tyre jo vetëm nga Shqipëria dhe Kosova por edhe nga shumë vende tjera kështu që gjithë çfarë është e nevojshme që të realizohet bashkëpunim i tillë, bëhet. A mundët që të bëhet më mirë ose më shumë, gjithmonë mundët më mirë dhe më shumë por mendoj se nuk ndalemi dhe nuk ekziston dorë e zgjatur nga ana tjetër që ne nuk e kemi pranuar”, tha Peshevski.
Gjatë takimit të vitit të kaluar të ministrit të jashtëm të Maqedonisë Nikolla Popovski dhe ish-ministrit të Jashtëm, tash President i Kosovës, Hashim Thaçi, u premtua mbledhje e përbashkët e dy qeverive, brenda një periudhe gjashtë mujore.
“Synimi ynë është që takimi mes dy qeverive të mbahet në gjashtëmujorin e parë të këtij viti”, tha Thaçi, ish ministër i Jashtëm i Kosovës.
“Mendoj se ka kushte që në një periudhë shumë të shkurtër brenda disa muajsh apo në tremujorin e parë të këtij viti, të mbajmë seancën e përbashkët ndërqeveritare”, u shpreh Nikolla Popovski, ministër i Jashtëm i Maqedonisë.
Qeveria e Shkupit ka realizuar disa seanca të përbashkëta me Qeverinë e Serbisë dhe një me atë të Bullgarisë. Nga ana tjetër nuk kanë munguar as takimet mes Qeverive të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës që janë takuar tri herë gjatë viteve të fundit. Në këto takime zyrtarët më të lartë të dy shteteve shqiptare, kanë folur edhe për të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, Mal të zi dhe Serbi.
.