Lulzim Nixha është caktuar kryetar i Komisionit për lejen e përdorimit për dy ndërtesat e kompanisë “Tregtia” në lagjen ‘Mati 1’, të cilat ishin lëshuar gjatë qeverisjes së Prishtinës nga kryetari Isa Mustafa.
Kjo kompani ka bërë disa ndërtime pa leje në kryeqytet, në kohën kur urbanizimin e drejtonte vetë Lulzim Nixha, shkruan lajmi.net
Në njërën prej ndërtesave banon kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri dhe vetë drejtori i Urbanizimit të Prishtinës, Liburn Aliu.
Lajmi.net nuk ka marrë përgjigje nga kompania “Tregtia”, lidhur me atë nëse është marrë leje e shfrytëzimit për dy ndërtesat në “Matiqan” dhe se kush kanë qenë në komisionine.
Por, para disa ditëve, këshilli i Lagjes “Mati 1” – Kompleksi “Tregtia”, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se reshjet e shumta të shiut, ishin të kobshme për banorët e kësaj lagjeje tek banesat e ndërtuara nga ‘NTP Tregtia’.
Kjo pasi bodrumet e ndërtesave ishin vërshuar nga uji. Në njoftim thuhej se kompleksi “Mati 1 Tregtia”, me leje ndërtimi nr. 01-350- 26268/1, përmban afro 600 banesa të ndërtuara në dy faza të ndara.
“Në fazën e parë janë ndërtuar 450 banesa dhe janë lëshuar për banim në muajin tetor të vitit 2012, përderisa faza e dytë është lëshuar për banim gjatë fundit të vitit të kaluar (2015). Themelet e ndërtesave të reja janë të mbuluara me ujë që paraqet rrezik të madh për banorët e kësaj lagje. Rreziku më i madh për banorët paraqitet edhe si rezultat se uji depërton jo vetëm nëpër themelet e ndërtesave si pasojë e mungesës së drenazhës, mirëpo kalon edhe nëpër muret e brendshme ndërmjet ndërtesave si dhe nëpër kabinat e ashensorëve, çka mund të jenë tragjike”, thuhet në njoftim.
Banorët e kësaj lagje disa herë kanë bërë kërkesë zyrtare tek kompania ndërtuese që të bëjë sanimin e kësaj gjendje, mirëpo deri më tani asgjë nuk është ndërmarrë në këtë drejtim.
Kërkesa e njëjtë është adresuar edhe tek Komuna e Prishtinës, me ç’rast banorët kanë kërkuar përkrahje nga kjo e fundit për të ndihmuar dhe kërkuar nga kompania ndërtuese që të bëjë rregullimin e drenazhës dhe të plotësojë të gjitha kërkesat tjera teknike, në pajtim me projektin për të cilën e ka marrë edhe lejen ndërtuese.
Pavarësisht gjendjes së mjerueshme të ndërtesave, Komuna e Prishtinës vazhdon që të japë leje çdo vit për kompaninë ndërtuese ‘NTP Tregtia’, sidomos edhe për projekte të reja, sikurse që është rasti i lagjes/projektit “Kodrina’”.
“Tregtia” e cila është pronë e Bedri Prishtinës është ndër kompanitë e mëdha që kanë ndërtuar më së shumti pa leje pas luftës në kryeqytet.
Në regjistrin e ndërtimeve pa leje ne Prishtinë, figurojnë disa objekte pa leje të kësaj kompanie, siç është ndërtesa në lagjen “Dodona” në Rrugën “Afrim Loxha”, në lagjen ‘Kodra e Diellit’ në Rrugën “Armend Daci”, në lagjen Arbëria 3, etj.
Ndërkaq, sipas Udhëzimi admistrativ MMPH, nr 18/2013 për standardet minimale dhe procedurat për mbikëqyrje inspektive dhe lëshimin e certifikatës së përdorimit, një objekte për të cilin nuk është lëshuar leja e përdorimit nuk guxon të lejojë banim në të, për më tepër janë paraparë edhe gjoba.
“Pronari i objektit ndërtimor që ka filluar përdorimin pa marrë certifdikaën e përdorimit, apo certifikatën e përkohshme të përdorimit është subjekt i gjobës prej 6000 euro. Lëshimi i certifikatës së përdorimit bëhet pas pranimit të aplikacionit të përdorimit, organi kompetent mund të bëjë inspektimin përfundimtar të vendit të ndërtimit për Ndërtim janë plotësuar.”, thuhet në këtë udhëzim admistrativ. /Lajmi.net.