Komuna e Ferizajt ka thyer rekord të mërkuren, me 55 raste pozitive me Covid-19, duke e çuar në 177 numrin e përgjithshëm të rasteve aktive.
Vetëm në Spitalin e Ferizajt, tetë mjekë specialistë, 13 infermierë dhe 4 zyrtarë të tjerë kanë rezultuar pozitivë.
“Numri i pacientëve 13, me oksigjenoterapi i kemi 11, mjekë specialistë pozitivë janë 8, infermierë 13, dhe 4 të tjerë nga stafi”, ka thënë shkurt për KOHËN drejtori i Spitalit Rajonal në Ferizaj, Jeton Zeqiri.
Ndërkohë edhe kryetari i komunës Agim Aliu, përmes një komunikate, të mërkuren mbrëma, kishte shkruar për një “rekord të zi” për Ferizajn.
“Nga njoftimi i IKSHPK-së lidhur me rastet e reja me COVID-19, bëhet e ditur se kemi edhe 55 raste të reja pozitive me këtë virus në Ferizaj që çon në 177 numrin e rasteve aktive”, ka shkruar Aliu në Facebook.
Ndërkohë, ditë më pare, 7 drejtorë dhe tre zyrtarë tjerë politikë të Komunës së Ferizajt, kishin dalë pozitiv në COVID-19. Aliu ndërkohë ka thënë për KOHËN se mbi 70 për qind e stafit të tij politik janë të infektuar me COVID-19.
“Gjithsejt i kemi 12 raste pozitive në stafin politik, prej tyre 3 nga kabineti im. Kjo i bie se rreth 70 për qind e stafit politik janë pozitivë. Ndërkohë kemi raste pozitive edhe nga stafi tjetër i administratës”, ka thënë ai.
Must Read