Ferizaj.08.03.2018. Gratë ferizajase sot kanë marshuar sheshit të qytetit duke kërkuar të drejta të barabarta, qasje të femrës në edukim, jetë të dinjitetshme për gruan si dhe pjesëmarrje të grave në pozita vendimmarrëse.
Me moton ‘’Marshojmë, s’festojmë’’, organizatoret e këtij marshi, thanë se kjo është dita kur duhet të kërkojnë llogari nga institucionet për zbatim të ligjit për to.
“Ky marshim synon të vë në dukje situatën e disfavorshme të vajzave e grave edhe më tutje në vendin tonë, synon të rikthej vëmendjen e institucioneve tek zbatimi i ligjit në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës e cila garanton të drejtat e grave”, tha njëra ndër organizatoret e këtij marshi, Dashurie Uksmajli-Sefa.
“Lufta për jetë është çdo ditë, nëse ne nuk luftojmë për të mbërri të drejtat tona çdo ditë do t’i humbim edhe ato që i kemi, sot ju flas për të ardhmen drejt së cilës ne duhet të shkojmë me guxim dhe besim”,tha Fazile Bungu nga ‘’Handifer’’.
“Gratë tona po përballen me diskriminim total, sidomos kur po vjen në shprehje e drejta e tyre në trashëgimi dhe kujdesi për fëmijët gratë tona japin aq shumë dashuri dhe kujdes, por nuk kanë asnjë mbështetje, kujdesi për nënat vetushqyese është lënë anash nga organet komunale dhe qendrore, trafikimi me vajza të reja po ndodhë shumë herë në komunën tonë dhe ndër të tjera dhe po fshihen nga organet e sigurisë dhe familjet e tyre, gratë po keqtrajtohen, ju lutem mbështetni gratë mos i mbytni ato”, tha Yllkë Neziri, asambliste.
“Sa i përket infrastrukturës ligjore nuk jemi keq me barazinë gjinore, por mbetet shumë për t’u bërë nga përfaqësuesi politik për implementimin e ligjeve që i kemi miratuar në Kuvendin e Kosovës”,tha asamblistja Lumnie Morina.
Pjesëmarrëse në këtë marsh ishte edhe drejtoresha e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës Igballe Rogova, e cila përmendi vrasjet e grave pikërisht nga burrat, duke thënë se kjo është edhe një arsye më shumë për marshim.
“Kërkojmë implementim të ligjit, kërkojmë 50% të përfaqësimit të grave në institucionet vendimmarrëse, gjithashtu marshojmë s’festojmë, sepse akoma kemi dhunë në familje, madje edhe vrasje. Dje është liruar vrasësi i cili e ka vra Donjetën, më herët Zejnepen, prandaj ne marshojmë nuk festojmë, sepse gratë akoma nuk kanë të drejta”,tha Rogova.
Ndërsa, Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt Kristina Gashi -Bytyqi, u zotua për angazhim drejtë avancimit të gruas.
“Ne si Kuvend i Komunës së Ferizajt besoj që ajo çfarë mund të bëjmë ne është të ndryshojmë rregulloren për barazi gjinore 50-50 e cila është në kuadër të ligjit, pasi nga viti 2013 është 40% të gjinisë të jenë të përfaqësuara, por tani në këtë qeverisje besoj se do ta ndryshojmë”,tha Bytyqi.
Marshi me moton ‘’Marshojmë, s’festojmë’’, u organizua për herë të parë në Ferizaj, transmeton Televizioni Tema.
Must Read