26,12,2024

Zharku: Kosova dhe Shqipëria të rrisin bashkëpunimin në ekonomi, energji dhe transport

Must Read

Ministri Zharku foli lidhur me “Partneritetin strategjik Kosovë – Shqipëri” dhe zhvillimin ekonomik në sektorin e energjisë dhe transportit, transmeton lajmi.net.

Në vijim mund të lexoni fjalimin e ministrit Zharku:

“Më lejoni që në fillim të përshëndes MPJ-në, për përfshirjen e çështjes së Partneritetit, Kosovë – Shqipëri, për trajtim në këtë konferencë e cila ngadalë po krijon identitetin e saj dhe tanimë siç shihet edhe nga pjesemarrësit gëzon respekt të veçantë.

Pothuajse çdo ditë ne politikanët shprehemi për partneritet të përhershëm strategjik me SHBA-të, Bashkimin Evropian, NATO-n në veçanti me Shqipërinë si partneritet natyror e vëllazëror. Besoj se të gjithë gëzohemi që çështja e partneritetit strategjik midis vendeve tona viteve te fundit ka filluar te konkretizohet.

Siç e dijmë, po bëhen gati 3 vite nga nënshkrimi i dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Sipas këtij dokumenti partneriteti strategjik është fokusuar në katër shtylla të rëndësishme: 1. Politika e jashtme dhe sigurisë,  2. Drejtësia dhe çështjet e brendshme, 3. Ekonomia, energjia, transporti, turizmi dhe mbrojtja e mjedisit, 4. Kultura Arsimi dhe Shkenca.

Sa i përket partneritetin për shtyllën e tretë gjegjësisht ekonominë, energjinë dhe transportin, dokumenti përcakton se Qeveritë tona, angazhohen për krijimin e një klime nxitëse biznesi në një treg të integruar, në mënyrë që të mundësohet zhvillimi i ekonomive plotësuese ndërmjet një strategjie afatgjatë. Në fushën e energjisë është paraparë punë intensive me partnerët për të mundësuar degëzim të TAP në Kosovë, si dhe ndërtimi i linjës ndërkufitare të tensionit të lartë të energjisë elektrike.  Të dy qeveritë kanë shprehur përkushtimin për bashkëpunim të ngushtë për transportin, turizmin si dhe hartimin e një marrëveshje të përbashkët për menaxhimin e ujërave.

Sot pas tri viteve mund të konfirmojmë se tanimë po ndërtohen themelet e partneritetit strategjik. Në fushën e përmirësimit të ambinetit të biznesit janë nënshkruar disa marrëveshje, të cilat heqin shumë pengesa administrative dhe nxisin rritjen e shkëmbimeve tregtare midis vendeve tona. Në fund të qershorit të këtij viti është inauguruar autostrada energjetike gjegjësisht linja e interkonjeksionit 400 kilovatë, në mes të Kosovës dhe Shqipërisë në gjatësi prej 241 kilometrash. Tanimë si duket po fillon ngadalë të kristalizohet edhe mundësia e degëzimit të TAP-it për në Kosovë. Në fushën e transportit është në fuqi marrëveshja e nënshkruar që nga korriku i vitit 2011. Sa i përket turizimit të gjithë jemi dëshmitarë të një rritje enorme të turistëve nga Kosova në Shqipëri, e cila për shumë qytetarë të Kosovës ka filluar të konsiderohet si shtëpi e dytë përmes blerjeve të patundshmërive të ndryshme. Në anën tjetër është shumë shpresëdhënëse edhe rritja në vazhdimësi e turistëve nga Shqipëria në Kosovë. Natyrisht, ky zhvillim i hovshshëm, qoftë i turizmit apo shkëmbimeve tregtare midis vendeve tona është arritur vetëm pas ndërtimit të rrugës së kombit gjegjësisht autostradës “Ibrahim Rugova”. Jam shumë i bindur se ky projekt madhor infrastrukturor është themeli i partneritetit strategjik midis vendeve tona. Besoj se të gjithë pajtohemi që në një të ardhme jo të largët ne duhet ta plotësojmë këtë vepër edhe me linjën hekurudhore Prishtinë – Durrës.

Megjithatë, partneriteti strategjik nënkupton dhe kërkon shumë më tepër. Jemi në rrugë të mirë, por nevojitet intensifikim i angazhimeve tona dypalëshe si dhe konkretizim i veprimeve. Partneriteti strategjik nënkupton ndërtim të autostradave në të gjitha fushat tjera që lidhin vendet tona e jo vetëm në infrastrukturë rrugore. Përkundër përkushtimit që ekonomitë tona të plotësojnë njëra tjetrën kjo ende nuk po ndodhë. Edhe pse tashmë e kemi një rritje të shkëmbimeve tregare Kosova ende nuk e ka partner kryesor tregtar Shqipërinë. Me këtë rast, pa dyshim se edhe bizneset mbajn barrë të madhe të fajit. Bizneset e të dyja vendeve ende nuk e kanë njëra-tjetrën zgjidhje të parë. Poashtu, barrierat e ndryshme administrative nga të dyja palët ende janë prezente. Në bazë të marrëveshjës aktuale ne kemi të liberalizuar transportin bilateral por ende e kemi nën regjimin e lejeve transportin për dhe nga vendet e treta. Kemi të përcaktuar një numër simbolik të lejeve, të cilat nuk shfrytëzohen. Vitin e kaluar jemi ballafaquar me problemin e tahografëve, që do të duhej të zgjidhej përmes marrëveshjes së nënshkruar në mbledhjen e fundit të dy qeverive. Partneriteti strategjik nënkupton përkrahjen e njëra-tjetrës për zgjidhjen e problemeve më palët e treta ku kanë ndikim e jo krijimi i vështirësive për njëra-tjetrën.

Në procesin e Berlinit të dyja vendet jemi të kyçura përmes zgjerimit të rrjetit transevropian të transportit në Ballkanin Perëndimor. Kosova po punon ngushtë me Komisionin Evropian për vazhdimin e autostradës “Ibrahim Rugova” nga Prishtina deri në Merdare gjegjësisht në kufirin me Serbinë. Ne besojmë se përfundimi i këtij segmenti në vendin tonë dhe vazhdimi i tij deri në Nish do të kontribuojë që vendet tona të shndërrohen në partner të paevitueshëm transporti për të gjitha vendet e Ballkanit Lindor dhe Evropës Juglindore. Aktivitetet e përbashkëta në përfundimin e këtij projekti do të forcojnë gjithnjë e më shumë partneritetin strategjik të Shqipërisë dhe Kosovës”.​ /Lajmi.net/

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img