Qyteti i Ferizajt, është shndërruar në kantier ndërtimi, duke filluar realizmin e shumë projekteve madhore që po bëhen në qytet.
Njëri ndër këta projekte është edhe projekti i zgjerimit të rrugës “Gursel e Bajram Sylejmani” me tri korsi. Nga afër punimet në këtë rrugë i ka inspektuar kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa me bashkëpunëtoret e tij. Ai realizmin e këtij projekti e ka vlerësuar si tejet të rëndësishëm, duke theksuar se qytetarët e kësaj pjesë të qytetit tash e tutje do të kenë një qarkullim dukshëm më të mirë.
“Kjo rrugë ka pasur nevojë që të zgjerohet, sepse ka qene me dy korsi , ndërkaq ne kemi arrit që të nxjerrim maksimumin e mundshëm për të realizuar një rrugë me tri korsi, dy që janë në dalje dhe një korsi në hyrje në drejtim të qyteti. Ne po bëjmë përpjekje që të realizohen këto projekte para ardhjes së mërgimtarëve në mënyrë që qytetit të frymon më lirshëm. Unë i uroj banorët e këtyre lagjeve të cilat në mënyrë të drejtpërdrejt do të jenë përfituese të këtyre investimeve, sepse mundësohet një qarkullim më i lirë”, ka thënë kryetari Svarqa.
Kryetari Svarqa, tutje është shprehur se në Ferizaj, po realizohen projekte të mëdha, ndërsa shumë shpejt pritet të fillojnë edhe projekte nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës, të cilat po e lehtësojnë dukshëm jetën e qytetarëve të komunës së Ferizajt.
“Analizat tregojnë që qytetarët e komunës së Ferizajt, kanë përfituar projekte më shumë se çdo here tjetër andaj kemi edhe arsye që të jemi më të vëmendshëm në realizmin e synimeve tona, duke punuar të gjithë bashkë po ashtu të punojmë më përkushtim maksimal që të realizojmë projekte madhore të cilat i kanë munguar qytetit të Ferizajt”, ka thënë Svarqa.
E nga ana tjetër banorët e kësaj pjese të qyteti thanë se zgjerimi i rrugës ka qenë më se i nevojshëm. Sipas tyre kah 25 vite që në këtë rrugë nuk është bërë asnjë investim i vetëm .
U bë e ditur se projekti i zgjerimit të rrugës “Gursel e Bajram Sylejmani”, komunës së Ferizajt i kushton mbi 420 mije euro, ndërsa ka një gjatësi prej 1055 metra, me gjerësi prej mbi 9 metra, ndërsa do të e ketë trotuare për këmbësore në të dyja anët, ndriçim publik dhe dy shtresa të asfaltit.
U tha se shumë shpejt do të fillojnë punimet edhe në zgjerimin e rrugës “Cen Dugolli” në Ferizaj, rrugë kjo që do të bëhet me katër korsi.