Zëvendësministri i MPB, z. Nehat Mustafa, i shoqëruar nga z. Naim Muja -udhëheqës i Sekretariatit të Strategjive dhe Nënkolonel Emin Beqirin, drejtor i Drejtorisë kundër Krimeve Ekonomike, qëndruan për vizite zyrtare në Republikën e Francës.
Gjatë kësaj vizite, ata u priten nga znj. Michele Ramis, ambasadore e ngarkuar me luftimin e krimit transnacional, ku zëvendësministri Mustafa tregoi për punën që është duke u bërë nga institucionet e Republikës së Kosovës në fushën e sigurisë, me theks të veçantë luftën kundër krimit të organizuar siç janë: lufta kundër narkotikeve, trafikimit, krimit ekonomik, terrorizmit, migrimit të paligjshëm etj.
“Kosova edhe pse vend i ri dhe me institucione të reja, ka arritur suksese të kënaqshme në këtë drejtim dhe për këtë është vlerësuar lartë nga institucionet e ndryshme ndërkombëtare, duke përfshirë këtu edhe shtetin francez”, theksoi zëvendësministri Mustafa.
Ndërsa ambasadorja Ramis vlerësoi angazhimin e deritanishëm të institucioneve të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimit me institucionet franceze. Ajo premtoi intensifikim e mëtutjeshëm të bashkëpunimit në mes të dy shteteve, si dhe premtoi përkrahjen e shtetit francez që Republika e Kosovës të jetë pjesë e organizatave të ndryshme të sigurisë, me theks të veçantë anëtarësimin e Kosovës e INTERPOL.
Gjatë kësaj vizite, delegacioni kosovar zhvilloi takime edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Francës. Gjate këtyre takimeve, zyrtarë të lartë nga Shtabi i Përgjithshëm i Xhandarmerisë franceze siguruan delegacionin kosovar për bashkëpunim konkret në fusha të caktuara e të cilat ndërlidhen me krimin e organizuar.