Zëvendëskryeministri serb, Rasim Lajiq, ka thënë se shitja e mallrave serbe në Kosovë praktikisht është ndërprerë.
Lajiq në një intervistë për Prva, ka thënë se sipas të dhënave nga dogana, nga 21 nëntori kur hyri në fuqi masa e takës 100 për qind, e deri më 11 dhjetor, në territorin e Kosovës kanë shkuar 30 milionë euro më pak mallra krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Është dëm i madh nëse vazhdohet me këto masa, kjo praktikisht do të thotë se do të ndërpritet tregtia e mallrave serbe, pra nëse vazhdon kjo masë, mallrat serbe do të zhduken atje”, tha Lajiq, përcjell Telegrafi.
Ai tha se kushti është që masa të largohet në mënyrë që dialogu të kthehet dhe të diskutohet për të gjitha temat.
“Kosova këmbëngul se ne e kemi shkelur marrëveshjen e CEFTA-së, ta shohim se si e kemi shkelur ne atë marrëveshje. Masat duhet të hiqen e pastaj mund të hapen për diskutim të gjitha temat ekonomike dhe politike”, u shpreh ai.