Prokuroria e Tiranës ka ngritur disa akuza ndaj Emiljano Shullazit dhe dy miqtë e tij që u ndaluan mbrëmë. Ata u shoqëruan në policinë e kryeqytetit me udhër – ndalimi të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Lapsi.al mëson se ndaj Shullazit, Gilmando Danit dhe Blerim Shullanit rëndojnë akuzat për gjobëvenie, shkatërrim prone me eksploziv, kërcënim dhe krijim të grupi të strukturuar kriminal. Sipas prokurorisë, ata kanë shtrënguar disa bizesmenë për dhënie të pasurisë. Për këto akuza, burime të prokurorisë i thanë lapsi.al se kanë prova, dëshmi e përgjime. Shullazi dhe banda e tij duket se janë mbajtur prej kohësh nën vëzhgim. Bizesmenët që janë “gjobitur” nga Shullazi operojnë në Tiranë e Durrës. Pas ndalimit, policia ushtroi kontroll në shtpëinë e Shullazit dhe disa miqve të tij. Shullazi mësohet se po hetohet edhe për disa atentate me tritol, por burimet janë të rezervuara dhe nuk bëjnë të ditur rastet për të cilat ai dyshohet. Po ashtu ai po hetohet edhe për kërcënimin e kandidatit për Rektor në UT, Mynir Konit. I pyetur për këtë çështje mbrëmë ai ka thënë se nuk ka kërcënuar asnjeri. Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet ta marrë sërish në pyetje atë dhe miqtë e tij për të ballafaqur dëshmitë me provat e mbledhura. Emiljano Shullazi është shoqëruar edhe disa herë të tjera në polici. Në janar 2015 ai u shoqërua pasi i shpëtoi një atentati në Qafë Kashar. Shullazi është dënuar dy herë, për trafik droge dhe armëmbajtje pa leje. Shullazi u akuzua edhe për kërcënim të kreut të opozitës, Lulzim Basha. Policia e mori në pyetje, por e la të lirë për mungesë provash.