28,12,2024

Zaev: Nëse plotësohen kushtet, zgjedhje në nëntor

Must Read
Lideri i LSDM-se, Zoran Zaev

Ai thotë se pa plotësimin e dy kushteve kryesore, pastrimin e Listës zgjedhore dhe reformat në media, data e zgjedhjeve nuk do të kishte asnjë rëndësi.

“Marrëveshja e Përzhinës ka një qëllim të vetëm, legjitimitetin e plotë të fituesit. Kushtet janë qëllimi kryesor i marrëveshjes dhe jo data e mbajtjes së tyre. Kujt i nevojiten zgjedhje kriminale? Qytetarëve me siguri se jo. Reformimi i mediave është një nga kushtet, çështja tjetër ka të bëjë me pastrimin e Listës zgjedhore.

Këto janë dy kushtet minimale që kërkojmë të plotësohen që të mundet opozita të ketë prezantim të barabartë në media dhe qytetarët të dinë se vota e tyre do të vendosë se kush do të drejtojë Maqedoninë”, thotë Zaev duke arsyetuar edhe vendimin e fundit të opozitës për bojkotin e punimeve të Kuvendit të Maqedonisë.

Lideri opozitar thotë se funksionimi normal i Prokurorisë speciale, që po heton dhjetëra zyrtarë të lartë për vepra të rënda penale, ka rëndësi të jashtëzakonshme për zgjidhjen e krizës politike.

Sipas tij, kriza nuk mund të quhet e mbyllur pa pasur një epilog gjyqësor për të gjithë zyrtarët e përfshirë në krime, e që dolën në sipërfaqe nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve.

Zaev thotë se për të fshehur krimet, pushteti po bën gjithçka për të mbajtur peng punën e Prokurorisë, e që dëshmohet edhe me nismën në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së formimit të saj në Kuvend.

“Me këtë duam edhe një herë të përcjellim mesazhin deri te Gjykata Kushtetuese që të sjellë vendimin për këtë nismë, ne nuk paragjykojmë se çfarë vendimi do të sjellë, por vendim duhet të ketë që Prokuroria Speciale të mos mbahet peng i kësaj nisme në punën e saj”.

“Bëhet fjalë për një institucion të formuar me konsensus nga të gjitha partitë në Kuvend. Patjetër që duhet të ketë përgjegjësi juridike, epilog për të gjitha hetimet që ka nisur ajo për dyshimet për vepra penale. Qytetarët duhet ta kenë një pasqyrë të qartë se kush çfarë ka bërë para se të vendosin se për kë do të votojnë”, thekson Zaev.

Vendimi i opozitës për të bojkotuar Kuvendin dhe protestat që po mbahen tani tre muaj nga sektori civil, vlerësohen nga njohësit e çështjeve politike, si përpjekje e opozitës për formimin e një Qeverie me bazë të gjerë, apo Qeveri të unitetit, para se të mbahen zgjedhjet e parakohshme.

Analisti Xhelal Neziri thotë se me këtë, opozita dëshiron të sigurohet se nuk do të ketë mashtrime zgjedhore, ashtu siç janë raportuar për ciklet e fundit zgjedhore.

“Mendoj se LSDM-ja tenton që me të gjitha format të bëjë presion mbi pushtetin, pra, mbi VMRO-DPMNE-në dhe BDI-në me qëllim që ta detyrojë këtë pushtet që t’i qaset më seriozisht zgjidhjes së problemit me atë që do të pranojë takimin në nivel liderësh, takim që me siguri pritet të rezultojë me formimin e një qeverie të koalicionit të gjerë, apo qeveri të unitetit apo reformatorësh. Mendoj se ky është qëllimi i LSDM-së që të imponojë një qeveri të tillë me qëllim që zgjedhjet të organizohen sa më shpejt, apo deri në fund të vitit”, thotë Neziri.

Por, sipas tij, edhe partitë në pushtet do të bëjnë gjithçka që plani i opozitës të dështojë. Kjo, siç thotë ai, shihet edhe nga presidenti i shtetit, i cili për më shumë se tre muaj ka zvarritur procesin me aktin e faljes së zyrtarëve që po hetohen nga Prokuroria speciale, pastaj me punën e Gjykatës Kushtetuese lidhur me shfuqizimin e vendimin për shpërndarjen e Kuvendit dhe tani me zvarritjen që po i bën nismës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së themelimit të Prokurorisë Speciale duke e mbajtur peng punën e saj.

Neziri thotë se tani qëllimi kryesor i partive në pushtet është që zgjedhjet të mbahen në afatin e rregullt në vitin 2018.

“VMRO-ja dhe BDI-ja tani nuk janë të interesuara që t’i futen aventurave të reja të caktimit të datës së zgjedhjeve, apo të formimit të qeverive duke interpretuar marrëveshjen e Përzhinës se vetëm 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare duhet të formohet një qeveri teknike. Duke u nisur nga kjo, vlerësoj se VMRO dhe BDI do të tentojnë që të çojnë mandatin qeverisës deri në fund, pra deri në vitin 2018 dhe vetëm atëherë të mbahen zgjedhjet parlamentare”, thotë Neziri.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare fillimisht ishin paraparë për më 24 prill të këtij vit, por u shtynë për 5 qershor, për shkak të mospërmbushjes së kushteve kryesore.

Por, plotësimi i tyre nuk u arrit as në datën e dytë që pas presioneve të opozitës dhe rekomandimeve të bashkësisë ndërkombëtare sërish u anulua, duke e mbajtur të pazgjidhur krizën, e cila ka nisur që nga shkurti i vitit të kaluar kur opozita publikoi qindra biseda të përgjuara të zyrtarëve, për të cilët dyshohet se janë përfshirë në veprimtari të shumta kriminale. Pretendimet e tilla janë hedhur poshtë nga pushteti duke i quajtur tentim të opozitës për rrëzimin e Qeverisë me ndihmën e shërbimeve sekrete nga jashtë.

The post Zaev: Nëse plotësohen kushtet, zgjedhje në nëntor appeared first on Lajminet.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img