Marrëdhëniet institucionale
Alsat-M mëson se vërejtjet e dërguara nga pala shqiptare janë pranuar nga Zaevi. Draft-ligji parashikon përdorim të gjerë të gjuhës shqipe në Kuvend, si në të folur ashtu edhe në të shkruar. Drejtuesit e Kuvendit, në rast se janë shqiptarë, do të mund t’i drejtojnë seancat në gjuhën e tyre amtare, ndërkohë që të gjitha aktet që do të nxirren, do të jenë gjithashtu në dy gjuhë.
Me draft-ligjin për përdorimin e shqipes, parashikohet nisja e zbatimit të shqipes edhe në ekzekutiv, ku ministrat për herë të parë do të mund të flasin në seancat qeveritare në shqip, ndërsa zgjidhja parashikon që shqipja të zbatohet edhe në të shkruar, si dhe në relacionet e qeverisë me institucionet e tjera. Pra, draftet e dala nga Qeveria do të shkojnë direkt në Kuvend apo organe të tjera, në të dyja gjuhët. Por, shqipja nis zbatimin edhe në sistemin gjyqësor.
Shqipja në gjyqësor
Aktet noteriale do të jenë gjithashtu edhe në shqip. Megjithatë, në seancat gjyqësore ka ende paqartësi për shkak të ndërlikimeve që do të rrjedhin nga zbatimi i dygjuhësisë, varësisht palëve, ekspertëve të angazhuar si dhe dorëzimit të dispozitivëve etj. Sipas zgjidhjes së ofruar nga draft/ligji, shqipja do të përdoret edhe në rajonet ku shqiptarët nuk jetojnë. Kjo masë pritet të përfshijë edhe tabelat nëpër vendkalimet kufitare. Kërkesa e tyre për dokumente apo nevoja të tjera parashtrohet në shqip, ndërsa përgjigja do të kthehet sërish në shqip nga organet komunale, por pasi të jetë përpunuar nga një Agjenci e posaçme në nivel republikan, e cila do të merret ekskluzivisht me përkthimin dhe dorëzimin të kërkesës drejt qytetarëve brenda afatit 1 orësh.
Mekanizmat kontrollues
Po ashtu, në kuadër të këtyre zgjidhjeve, parashikohet edhe një Inspektorat që do të monitorojë veprimtarinë e Agjencisë, cilësinë e përkthimit, si dhe zbatimin e gjithë dispozitave që dalin nga draft/ligji për gjuhën. Dokumentet personale, si letërnjoftimet, certifikatat, pasaportat etj., me draft-ligjin për shqipen do të jepen në mënyrë automatike në gjuhën respektive të qytetarit, pa nevojën sikurse deri më tani, të dorëzimit të një kërkese për gjuhën që kërkonte qytetari.
Profesori Osman kadriu, njëri nga ekspertët e konsultuar nga partitë politike për shqyrtimin e propozimeve të partive politike vlerëson se partitë duhet të fokusohen në pikat të cilat në Kuvend kërkojnë miratim me shumicë të thjeshtë. Sipas tij, nuk ka asnjë pengesë për miratimin e disa çështjeve të rëndësishme që shqiptarët kanë kërkuar prej vitesh.
Kryesuesi nëse është deputet shqiptar, të kryesojë me seancën plenare të parlamentit, të mundet ta përdorë gjuhën shqipe. Risia e dytë që propozohet është me rëndësi dhe duhet të theksohet që në seancat e Qeverisë, pjesëtarët shqiptar, të kenë të drejtë të flasin në gjuhën shqipe. Një risi për organet e jurispodencës, për atë që ka disponim dhe është në drafte, është për noterinë. në qoftë se noteri është shqiptar dhe pala shqiptare, me kërkesë të palës, aktet që i sjellë ai në kompetencën e tij, do t’i sjellë edhe në gjuhën shqipe – deklaroi profesori Osman Kadriu.
Një nga kërkesat e partive shqiptare ka qenë aplikimi i shqipes edhe në kartëmonedha, si dhe në komandën policore e ushtarake. Ndryshimet parashikojnë gjithashtu edhe përshtatjen e tabelave edhe në gjuhën shqipe, sikurse ajo e Kuvendit dhe institucioneve të tjera. Megjithatë sipas ekspertëve, për momentin këto duken të parealizueshme pasi ndryshimet e tilla nuk mund të kalonin pa 2/3 e votave në Kuvend.