Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri nëpërmes një postimi në Facebook ka njoftuar se ka qëndruar në Vjenë, ku ka marrë pjesë në në forumin ndërkombëtar “Crans Montana” mbi Evropën Qendrore dhe Evropën e largët Lindore.
“Forumi u zhvillua në Vjenë, nën Patronazhin e Presidentit të Austrisë, dhe në të morën pjesë me qindra përfaqësues qeveritarë, deputetë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, dhe investitorë të ndryshëm. Disa prej përfaqësueseve përfshinin Z. Bujar Nishani, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Stjepan Mesic – ish President i Kroacisë, Z. László Baranyay – Zv/President i Bankës Evropiane për Investime, Znj. Christine Beerli – ZV/Presidentja e Kryqit të Kuq, Filip Vujanoviq, President i Malit të Zi, etj.”, ka shkruar Ymeri, transmeton Koha.net.
Forumi, sipas Ymerit, u përqendrua në krijimin dhe forcimin e lidhjeve mes shteteve të Evropës Qendrore dhe Lindore, në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike të secilit shtet, me qëllim rritjen e bashkëpunimit si dhe të investimeve direkte të huaja.
“Gjatë punimeve mora pjesë si diskutues në disa prej sesioneve të mbajtura gjatë Forumit, si dhe pata rastin te takohem dhe diskutojë me një numër të pjesëmarrësve”, ka përfunduar Ymeri.