20,11,2024

VV thotë se me e koketime e flirtime me pushtetin s’ka sukses kauza opozitare!

Must Read

vetevendosje_970991147

Në deklaratën e lëshuar pas mbledhjes së sotshme të Këshillit të Përgjithshëm, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë thirrje për të krijuar një Alternativë të bashkuar, e cila do të përfshinte Vetëvendosjen, AAK-në, Nismën, si dhe personat e organizatat e interesuara të shoqërisë civile që nuk pajtohen me këtë gjendje. Në këtë deklaratë, i bëhet thirrje Ramush Haradinajt dhe AAK-së të mos flirtojë, koketojë e bisedojë me pushtetin.

“Historia e ngecjes dhe dështimeve po përsëritet në Kosovë. Në pushtet janë ata që për interesat personale po shesin e falin çdo gjë publike. Po e privatizojnë ekonominë, po rrudhin territorin dhe po reduktojnë sovranitetin shtetëror. Në burgje e procese gjyqësore i kemi ata që po kërkojnë që Republika e Kosovës të jetë vërtetë dhe të funksionojë si Republikë e vërtetë sovrane dhe demokratike. Rrënimi politik, ekonomik dhe social i Republikës së Kosovës po vazhdon të thellohet. Paralajmërimet për ringjallje të ‘Zajednicës’ dhe zbatim të demarkacionit po shpeshtohen.

Qeveria shpërblen Serbinë, kastën profitere sunduese, familjet e kryeministrit e ministrave, vëllezërit e presidentit dhe militantët partiakë. Ndërkaq, papunësia po rritet, rinia po e braktisë Kosovën dhe rezistenca opozitare po përndiqet me polici e gjyqe.

Kryeministri, zyrtarët e tij dhe djemtë e tij po i trashin lidhjet biznesore me Mishkoviqin dhe biznesmenët tjerë nga Serbia, po i hapin rrugë shovinizmit dhe revanshizmit serbomadh, që na vjen në Kosovë në formën e politikanëve që futen këtu dhe promovojnë hapur idenë se “Kosova është djep i Serbisë”, kurse në anën tjetër, po deporton dhe ua ndalon hyrjen në Kosovë aktivistëve nga Shqipëria të cilët me përkushtim, ndershmëri, vendosmëri e sakrificë po e mbrojnë Republikën tonë.

Përballë kësaj situate të rëndë dhe në keqësim të mëtejshëm, bashkimi gjithëpopullor është i domosdoshëm. Gjithë forcat progresive të shoqërisë duhet të mblidhen e bashkohen, sepse vetëm bashkimi do t’i jap fund të keqes.

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, i mbledhur më 17 prill 2016, nxjerr përfundimet e mëposhtme:

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje mbështet fuqishëm përpjekjen e Kryesisë së Lëvizjes për të forcuar bashkimin e opozitës dhe shoqërisë civile në rezistencën e pakompromis ndaj kësaj qeverie dhe projekteve të saj të dëmshme për Kosovën. Këshilli i Përgjithshëm kërkon vazhdimin edhe më intensiv të përpjekjes për të krijuar një Alternativë të bashkuar, e cila do të përfshinte Vetëvendosjen, AAK-në, Nismën dhe personat e organizatat e interesuara të shoqërisë civile që nuk pajtohen me këtë gjendje. Kjo do të kthente shpresën që në Kosovë qeverisja ndryshe është e mundshme dhe do të ndikonte fuqishëm në mobilizimin e qytetarëve për ta rrëzuar qeverinë aktuale.

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje mirëpret dhe vlerëson edhe iniciativën e ditëve të fundit, për një koalicion progresist ku do të përfshiheshin subjektet dhe individët që mbështesin konceptet socialdemokrate dhe liberale në politikë dhe qëllimi i së cilës Alternativë do të ishte: demokracia shoqërore, përballë shtetit autoritar; integrimi i vërtetë i serbëve përballë ndarjes etnike dhe shtrirjes së kontrollit të Serbisë në Kosovë; ekonomia e zhvilluar që bazohet tek prodhimi përballë privatizimit abuziv të ekonomisë; çlirimi i institucioneve dhe ndërmarrjeve publike përballë kapjes së shtetit nga koalicioni PDK-LDK-Srpska; drejtësia shoqërore përballë padrejtësisë shtetërore dhe diskriminimit; etj. Një koalicion i tillë paravajtës, do të sillte frymë emancipuese në Kosovë.

Si pasojë e gjendjes së rëndë të krijuar dhe në funksion të zgjidhjes, normalizimit dhe konsolidimit të përgjithshëm kombëtar e shoqëror, protestat janë të domosdoshme dhe të pashmangshme. Qytetarët nuk do të durojnë pafundësisht këtë gjendje dhe rrjedhimisht do të organizohen e mobilizohen. Lëvizja Vetëvendosje si subjekti që ka organizuar më së shumti protesta në Kosovën e pasluftës, e mirëpret çdo protestë që organizohet në Kosovë. Por, gjendja në Kosovë nuk do të përmirësohet pa rrëzimin e kësaj qeverie. E largimi i saj nuk do të bëhet asnjëherë përmes koketimit me partitë në pushtet, por përmes rezistencës qytetare të vendosur e të pakompromis.

Prandaj, Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje nxjerr përfundimet që para se të vendoset e diskutohet në lidhje me pjesëmarrjen e Vetëvendosjes në protestën e paralajmëruar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e rëndësishme që:

– Të krijohet Alternativa e bashkuar, e cila përveç që do të ofronte alternativë të qartë kundër regjimit që po e kundërshtojmë, do të forconte jashtëzakonisht shumë kampin e rezistencës dhe do të prodhonte protesta masive e të fuqishme. Bashkimi i opozitës me individë e organizata të shoqërisë civile do të ngjallte shpresë tek qytetarët dhe do t’i nxirrte ata në rrugë me entuziazëm e vendosmëri për ta rrëzuar qeverinë.

– Me koketime dhe flirtime eventuale me partitë e pushtetit nuk do ketë sukses kauza opozitare dhe nuk do të ndalet e keqja në Kosovë nëpërmjet bisedimeve të fshehta me shkaktarët e krizës. Ky pushtet ka arritur në përmasat e një regjimi autoritar dhe si i tillë ai duhet të dorëhiqet apo të hiqet. Duhet të sqarohen flirtimet me partitë në pushtet para se të vazhdojmë me veprimin e përbashkët opozitar, që do të manifestohej me protesta.

Sot, kur Kosova po rrezikohet nga brenda e nga jashtë, bashkimi i kundërshtarëve të kësaj qeverie është i domosdoshëm. Lëvizja Vetëvendosje! është e gatshme që të angazhohet pa kursim dhe me vetëmohim e sakrificë, për ta mundësuar dhe funksionalizuar këtë bashkim. U bëjmë thirrje për angazhim e mobilizim, të gjithë shqiptarëve që e kuptojnë dhe nuk duan ta durojnë tradhtinë që po u bëhet kundër kombit e vlerave të tij, kundër Republikës dhe idealeve tona. Vetëm përmes bashkimit do të mund t’i realizojmë edhe synimet që duken të pamundshme”

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img