Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se prej sot nuk ka bashkëpunim në mes tri partive opozitare.
Ymeri tha se AAK e Nisma kanë vendosur që tash e tutje kundërshtimin e tyre ta vazhdojnë pa Vetëvendosjen. Ky vendim u bë i ditur pas takimit të të sotëm të kryetarëve të tri partive opozitare.
Ai në një intervistë në emsionin “Argument Plus” që do të transmetohet sonte ka thënë se vendimet e njëanshme të AAK-së kanë ndikuar në ftohjen e raporteve në mes opozitës.
“Kemi pasur disa momente të vendimeve të njëanshme kryesisht të AAK-së, të cilat e kanë dëmtuar kauzën tonë të përbashkët. Shkuarja e Haradinajt tek Presidentja ka qenë njëri prej momenteve që e ka dëmtuar kauzën e kundërshtimit dhe rezistencës”, ka thënë Ymeri, transmeton Telegrafi.
Ai ka ripërsëritur se nuk do ti bashkohen protestës së 14 majit të thirrur nga AAK-ja.
“Nëse nuk ndodh një dakordim i ri ne nuk do të marrim pjesë”, u shpreh Ymeri.