Zonja e Parë e ardhshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Melania Tramp, është vënë në fokus të mediave amerikane që kur bashkëshorti i saj Donald, u shpall fitues në presidencialet e 8 nëntorit.
Të shumta kanë qenë mediat që kanë pasqyruar jetën e ish-modeles sllovene përpara se të njihej me miliarderin njujorkez, por ka edhe nga ata që e kanë sulmuar 46-vjeçaren.
E fundit është supermodelja e “Victoria Secret”, Gigi Hadid, e cila gjatë prezantimit të “American Music Awards”, imitoi Melaninë duke folur një anglishte me një theks lindor, sikur zonja Tramp.
Modelja 21-vjeçare ironizoi fjalimin e shumëpërfolur të Melania Tramp, e cila u akuzua se e kishte vjedhur nga Zonja e Parë Mishel Obama.
Sakaq nga mediat amerikane vjen një lajm që çudit jo pak. Zonja e Parë e ardhshme e SHBA-ve nuk do të tranferohet menjëherë bashkë me presidentin e ri në Shtëpinë e Bardhë. Fillimisht u përfol për ndonjë krisje të mundshme në marrëdhënien e çiftit të ri presidencial, madje kishte nga nata që e cilësuan si një shkelje të traditës.
Por stafi i Tramp sqaroi se vendimi u mor për të mirën e djalit të çiftit Barron, i cili është në mes të vitit shkollor. Presidenti i zgjedhur Tramp tha se bashkëshortja e tij do t’i bashkohet shumë shpejt në Uashington./ TV KLAN