Lajme

Veseli: Në Kuvend kishte deputetë të armatosur

By FerizajPress

April 19, 2016

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka folur për zhvillimet e fundit në institucionin që e drejton.

Gjatë kohës kur opozita bllokonte seancat e Kuvendit dhe Veseli deklaronte se nuk do ta thërras Policinë për ndërhyrje, sipas kreut të Kuvendit të Kosovës, në sallë kishte deputetë të armatosur.

“Kanë filluar të futen me armë zjarri në Kuvendin e Kosovës dhe ka qenë rrezik që të ndodh diçka dhe më mirë ka qenë me hangër fjalën time, sesa me ndodhë një turp”, ka deklaruar Veseli, në emisionin Republika në TribunaChannel.

Sipas tij, këta deputetë ishin nga pozita dhe opozita.

“Nga pozita dhe opozita. Nuk e di çka iu kanë dashur revolet. Sido që të jetë, kjo është një pjesë që qytetarët e këtij vendi, po tregojnë se janë më të mençur se ne. E kemi tejkaluar këtë situatë shumë mirë”, ka thënë Veseli.

Ai ka deklaruar se PDK është e gatshme ta vazhdojë koalicionin dhe se duhet të mendohet për reforma, dhe duhet të gjetur pikat ku ka pasur ngecje.

Veseli ka thënë se duhet gjetur arsyen pse në Kosovë folet kaq shumë për korrupsionin, dhe duhet treguar se pashallarët nuk mund ta sundojnë këtë vend dhe nuk mund të zhvillojnë korrupsion e të mos dënohen. “Misioni ynë është t’i largojmë pashallarët nga karriget”.

Ai ka shtuar gjithashtu se njerëzit që nuk janë të denjë ta mbajnë vendin që kanë duhet të kenë moral dhe t’ua lirojnë rrugën kapaciteteve të reja. “S’ka nevojë më i mbushë shishet për patriotizëm që Kosova po rrezikohet prej Serbisë. Mos e dhashë Zoti me luftu me Serbinë, nuk e di kush do ta luftojë më parë, pozita apo opozita, më së miri do ishte së bashku” ka deklaruar Veseli