Kryetari i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, pas marrjes së besimit për drejtimin e partisë nga delegatët, ka thënë se PDK-në e presin shumë sfida.
“Do të jem shumë i drejtpërdrejtë dhe shumë i përgjegjshëm, bashkë me ju na presin shumë sfida. Do të fillojmë menjëherë të punojmë. Aty ku i kemi punët mirë, do të punojmë edhe më mirë. Aty ku kemi ngecje do të përmirësohemi, që të bëjmë edhe më shumë për qytetarin e Kosovës. Do të vazhdojmë aleancën e përhershme dhe strategjike me ShBA-në, si dhe rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO”, ka thënë Veseli.
Ai ka shtuar se sfidë edhe më e madhe për të gjithë, por edhe për të si kryetar i PDK-së do të jetë ofrimi i një jete më të mirë për qytetarët e Kosovës.
Veseli ka falënderuar për kontributin e tij ish-kryetarin Hashim Thaçi, ndërsa ka siguruar se PDK-ja do të vazhdojë me fitoret e radhës.