Vdekja e nxënësit 15-vjeçar në sallën e edukatës fizike në Ferizaj, Policia: Pësoi arrest kardiak

Share

Policia e Ferizajt ka dhënë detaje të reja lidhur me rastin tragjik ku një nxënës 15-vjeçar humbi jetën sot pas rrëzimit pa ndjenja në sallën e edukatës fizike të shkollës së mesme “Kuvendi i Arbërit”.

Sipas Policisë, i mituri në Qendrën Emergjente në Ferizaj ka arritur pa shenja jete.

Në raportin e mjekut kujdestar thuhet se pas ekzaminimit është konstatuar se viktima kishte pësuar arrest kardiak, ndërsa është rekomanduar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për autopsi.

“Sipas mjekut kujdestar, viktima në Qendrën Emergjente në Ferizaj ka arritur pa shenja jete. Për këtë, ai ka lëshuar raport me shkrim, në të cilin konstatohet se viktima kishte pësuar arrest kardiak dhe është rekomanduar që trupi të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për kryerjen e autopsisë.”, tha Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë për rajonin e Ferizajt.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar hetuesit rajonalë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore.

Me vendim të tij është iniciuar rasti si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa trupi i pajetë është urdhëruar të dërgohet në IML-Prishtinë për obduksion.

Të ngjashme: