Të dashur miq , shokë e shoqe bashkëpunëtorë e bashkëqytetarë të mi , tani kur ndodhemi krejt pranë ndërrimit të motmoteve medoemos na duhet të reflektojmë për të mirat dhe të këqijat që përjetuam në vitin që po e lëmë pas, sfidat dhe të arriturat si dhe përpjekjet e pamundësitë për një jetë e mirëqenie më të mirë.
Ishte një vit aspak i lehtë, por na dha mësime e përvoja të mira, kurse fundviti duket zhgënjyes sidomos në aspektin politik.
Me shqetësim e kam marrë lajmin këto ditë se 162 punëtorët shëndetësorë në Ferizaj qe ishin angazhuar përmes marrëveshjeve me Caritas Kosovën më nuk do të jenë pjesë e institucioneve të këtushme shëndetësore, ndërsa mungesa e shërbimeve ka filluar te ndihet tek popullata qysh tani, dhe nuk është larg ndonjë kaos në këtë sektor , kujdestaritë janë mbyllur e pacientëve tanë për pak punë u duhet që të kërkojnë ndihmë deri në QKUK.
Është e vërtetë se angazhimi i këtij numri të punëtoreve nuk ka qenë i lehtë as për ne, por kemi dashur që ata të ndihen të vlerësuar, me telashe e pa to, njerëzit janë zgjuar me një motiv në mëngjes se kanë pasur një punë e një orientim profesional.
Ndërkaq sa për dijeninë tuaj nuk qëndron e dhëna se ka një borxh prej 330 mijë eurove ndaj angazhimit të punëtorëve shëndetësor, por janë rreth 200 mijë euro të papaguara, dhe atë borxh i krijuar nga vonesat në rishikim të buxhetit nga niveli qendror.
Nuk janë pak 162 njerëz të lihen rrugëve e në vend se të urohen e të inkurajohen në këto ditë festash, ata marrin lajme të hidhura që ua këputin shpresën.
Nuk e keni mirë pushtetarë, do të bindeni edhe vet për këtë.
Popullata duhet ta ketë parasysh një llogari, kur ne mundëm t’i mbajmë , përse të tjerët nuk munden se thjesht nuk duan të preokupohen me atë që është interes i vërtetë qytetar.
162 profesionistë shëndetësor, po që se vetëm nga një të mirë po të bënin gjatë detyrës së tyre, bëjnë 162 të mira për 162 qytetar ferizajas, por ju pushtetar dëshmuat që kjo nuk është synim i juaj.
Sido që të të jetë, unë uroj më të mirat për vitin që po vjen për të gjithë qytetarët e Ferizajt e në veçanti për këta punëtorë që me nder punuan deri në ditën e fundit.
Paçi shëndetin para se gjithash , e lumturinë ne familjet tuaja.
Për punëtorin gjithmonë ka punë.
Zemërgjerësia hap rrugë kudo, prandaj jini të tillë gjithmonë aty ku punoni e veproni.
Dr. Burim Karameta