UEFA ka prezantuar biletat e 51 ndeshjeve për “Euro 2016”.
UEFA dhe organizatorët e “Euro 2016” prezantuan biletat e 51 ndeshjeve të Kampionatit Evropian të futbollit.
Në total, kanë qenë 15 milionë persona që aplikuan për të siguruar këto bileta dhe ata që ishin me fat në këtë pikë shumë shpejt do t’i kenë në duar ato.
Biletat e “Euro 2016” kanë në dizajnin e tyre të gjitha elementet e turneut dhe vënë në dukje atmosferën festive dhe vlerat e futbollit modern, pa harruar këtu edhe imazhin e maskotës SuperVictor.
Ajo është prodhuar me letrën FSC në mënyrë që të minimizojë ndikimin ambiental, ndërkohë që nuk mungojnë elementët e sigurisë, përcjell “Albeu.com“.
Mes këtyre elementëve përfshihen barkodet dhe imazhet me një rezolucion të lartë, një hologram shumëngjyrëshe. Kjo teknologji e re përdoret për herë të parë në krijimin e biletave të ndeshjeve të futbollit.
UEFA dhe organizatorët e “Euro 2016” kanë përsëritur apelin e tyre për tifozët që të mos i blejnë biletat e evenimentit nga shitës të paautorizuar, agjentë apo faqe interneti të cilat i ofrojnë ato me çmime shumë të ulëta, pasi biletat e shitura prej tyre mund të jenë të falsifikuara ose të pavlefshme, që do të sjellë edhe refuzimin në hyrjen e stadiumeve.